Omer Muhtar, luani i shkretëtirës

Kanë kaluar 91 vite nga ekzekutimi Omer Muhtarit, njërit prej figurave heroike të rezistencës libiane gjatë periudhës së okupimit italian të Libisë, i cili njihej me nofkën “Luani i Shkretëtirës”.

I lindur në vitin 1858 në rajonin malor Xhebel Ahdar në Libi, Muhtar u arsimua në medresetë e Lëvizjes Senusi, e cila ishte aktive në rajon. Muhtar, i cili tregoi sukses në arsimin brenda Lëvizjes Senusi dhe tërhoqi vëmendjen si një nga emrat më të spikatur të lëvizjes, në vitin 1899 shfaqi rezistencë të armatosur ndaj aktivitete kolonialiste dhe misionere të francezëve në Çad.

Në vitin 1911, Italia filloi okupimin e Libisë, duke sulmuar Tripolin dhe Bengazin. Forcat italiane kërkuan dorëzimin e forcave osmane në rajon, por njësitë osmane e refuzuan këtë kërkesë dhe dhanë përpjekje kundër italianëve së bashku me njësitë lokale të mbrojtjes duke u tërhequr në pjesët e brendshme të vendit.

Derisa njësitë osmane u kthyen në Anadoll me shpërthimin e Luftës Ballkanike, italianët pushtuan Tripolin, Fizanin dhe Sirenajkan në vilajetin e Tripolitanisë (Trablusgarp).

Omer Muhtar, i cili ishte mësues i Kur’anit dhe shkencave islame, u shkaktoi goditje të mëdha italianëve përmes taktikave luftarake strategjike, meqenëse njihte nga afër rajonin. Ai mori nofkën “Luani i Shkretëtirës” nga suskesi që tregoi në luftë, ndërsa rezistoi për 22 vite kundër okupimit italian edhe përkundër moshës së shtyrë, duke kthyer shumë guvernatorë okupatorë në vendin e tyre me disfatat që ua shkaktoi.

Ndërkaq, me ardhjen e liderit fashist Benito Mussolini pas ndryshimeve ne qeverinë italiane, guvernator italian në rajon në vitin 1930 u emërua gjenerali Radolfo Graziani.

Pasi forcat italiane të udhëhequra nga Graziani dështuan në përpjekjet kundër rezistuesve, në vitin 1931 Italia ndërmori një taktikë të re të përgjakshme në rajon, me miratim edhe nga Musolini.

Rreth 100 mijë civilë lokalë në rajonin Xhebel Ahdar u mblodhën në kampe përqendrimi në rripin bregdetar dhe njëkohësisht u mbyll kufiri me Egjiptin, duke e mbyllur kështu linjën mbështetëse të rezistuesve libianë.

Njësitë Senusi të kryesuara nga Muhtar vazhduan përpjekjen e tyre, megjithatë, pas sulmeve të bashkëpunëtorëve vendas të italianëve dhe sulmeve ajrore të italianëve, Muhtar u zu në pritë më 11 shtator të vitit 1931 në rajonin Slonta, u plagos dhe u kap.

Ai u dënua me vdekje nga një e ashtuquajtur gjykatë në kampin ku forcat italiane kishin burgosur të kapurit në luftën në Slonta, ndërsa më 16 shtator të vitit 1931 u ekzekutua.

Komandanti italian Graziani pas njoftimit me Omer Muhtarin kishte thënë: “Ishte me përmasa mesatare, i shëndoshë, me flokë, mjekërr dhe mustaqe të bardha, ishte i shkathët dhe i zgjuar, i pajisur me dije fetare, energjik dhe kishte karakter të fortë. Ishte vetë-sakrifikues dhe i papërkulur. Edhe pse ishte një nga liderët më të spikatur të Lëvizjes Senusi, ai mbeti i devotshëm dhe i varfër”.

Përpjekja e Omer Muhtarit, i cili u shndërrua në hero kombëtar në Libi për rezistencën kundër italianëve, është shfaqur edhe në kinematografinë e Hollywoodit. Regjisori sirian Mustafa Akkad, i cili njihet për filmin “Mesazhi”, në filmin “Luani i Shkretëtirës” (1981) solli para spektatorëve rezistencën e Omer Muhtarit.

Filmi u financua edhe nga lideri libian i asaj kohe, Muammar Al Gaddafi, ndërsa rolin e Omer Muhtarit e mori laureati i çmimit Oscar, Anthony Quinn.

Fjalët “Ne jemi popull që nuk e dimë çfarë është dorëzimi, o fitojmë, o vdesim”, që në film i atribuohen Omer Muhtarit, libianët i shfaqën në pankarta gjatë ngjarjeve që u emëruan si “Pranvera Arabe”.