OpenAI lançon një version me pagesë të ChatGPT

Abonimi pa pagesë i ChatGPT është këtu për të qëndruar dhe nuk do të hiqet.

Duke synuar monetizimin e një fenomeni i cili është bërë viral, OpenAI ditën e sotme lançoi një program pilot me pagesë për ChatGPT, robotin e komunikimit me inteligjencë artificiale që mund të shkruajë ese, poezi, emaile, tekste këngësh e shumë të tjera.

Quajtur ChatGPT Plus dhe me çmim që fillon nga 20 dollarë në muaj, shërbimi ofron disa përfitime krahasuar me variantin pa pagesë.

OpenAI thotë se kundrejt kësaj pagese përdoruesit marrin akses në ChatGPT edhe gjatë orëve të pikut, përgjigje më të shpejta dhe akses prioritar në funksionalitetet e reja.

Abonimi pa pagesë i ChatGPT është këtu për të qëndruar dhe nuk do të hiqet. Ndërsa ChatGPT Plus është i disponueshëm vetëm për konsumatorët në SHBA momentalisht. OpenAI tha se do të fillojë të ftojë njerëzit në listën e pritjes në muajt e ardhshëm për të zgjeruar aksesin e ChatGPT Plus në vend dhe rajone të tjera të botës.

Kompania la të kuptohej se ChatGPT Plus mund të jetë vetëm i pari i shumë planeve që mund të bëhen të disponueshme në të ardhmen. OpenAI tha se po eksploron opsione low-cost, planet biznesi apo pako të dhënash.

Ardhja e ChatGPT Plus u paralajmërua në Janar kur kompania tha se ishte duke menduar për monetizimin e shërbimit. Disa përdorues të ChatGPT kishin akses në një abonim ChatGPT Pro prej 42 dollarësh.

OpenAI është nën presion për të kthyer fitime nga produktet si ChatGPT pas një investimi multi-miliardë dollarësh nga Microsoft. Në 2023 OpenAI synon të fitojë 220 milionë dollarë një shumë e papërfillshme krahasuar me 1 miliardë dollarët e investuar deri më sot në kompani. /PCWorld Albanian