Papa Leoni: Uniteti dhe paqja janë të mundshme në Lindjen e Mesme pavarësisht sfidave

Papa Leoni ka deklaruar se uniteti, partneriteti, pajtimi dhe paqja janë të mundshme në Lindjen e Mesme pavarësisht sfidave, transmeton Anadolu.

Komentet e tij erdhën gjatë një takimi në Bejrutin qendror, ku morën pjesë më shumë se 300 figura fetare, me fjalime nga krerët e sekteve të krishtera dhe islame të Libanit, si dhe pjesë muzikore të interpretuara nga kori ‘Sistema Beirut Chants’, kori i Jetimores Islame dhe Fondaioni Imam al-Sadr.

“Ju jeni të thirrur të jeni ndërtues të paqes, të përballeni me intolerancën, të kapërceni dhunën dhe të zhdukni përjashtimin, duke ndriçuar rrugën drejt drejtësisë”, tha Papa.

“Në një kohë kur bashkëjetesa mund të duket si një ëndërr e largët, populli i Libanit, teksa përqafon fe të ndryshme, qëndron si një kujtesë e fuqishme se frika, mosbesimi dhe paragjykimet nuk e kanë fjalën e fundit dhe se uniteti, pajtimi dhe paqja janë të mundshme”, shtoi ai.

Patriarku Katolik i Siriëve, Ignatius Joseph III Younan, hapi fjalimet me një mirëseardhje zyrtare, e ndjekur nga një recitim i Ungjillit në ritin bizantin dhe një lexim nga libri i shenjtë i Islamit, Kurani.

Pas disa fjalimeve nga kleri i krishterë, Myftiu i Madh i Libanit, Sheikh Abdul Latif Derian, i uroi mirëseardhjen Papës, duke theksuar se Libani është “një vend mesazhi, bartës i tij dhe një mbrojtës i paqes dhe sigurisë në mbarë botën”.

“Ne nuk na pëlqen të mbajmë armë dhe e lëmë kauzën e Libanit në duart tuaja, duke shpresuar se bota do ta ndihmojë vendin tonë të gjejë shpëtim”, tha Sheikh Ali al-Khatib, zv/kryetar i Këshillit të Lartë Islam Shiit.

Para ngjarjes, turma njerëzish u mblodhën përgjatë rrugës nga Nunciatura Apostolike në Bejrutin verior deri në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të qytetit për të përshëndetur Papa Leonin teksa kalonte autokolona e tij zyrtare.

Dje, Papa Leoni mbërriti në Liban për një vizitë 3-ditore, duke ardhur nga Turqia, ku po ashtu qëndroi për vizitën 3-ditore.