Parisi me fitore të madhe ndaj Juventusit

Paris Saint-Germaini ka startuar me fitore në Ligën e Kampionëve. Të martën mbrëma në “Parc des Princes”, Parisi fitoi 2:1 ndaj Juventusit. Ndeshja i ka takuar grupit H të Championsit.

Parisi llogaritet prej favoritëve për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe që në nismë ka shfaqur forcën ofenzive.

Ylli Kylian Mbappe ka shënuar të dy golat për kampionin e Francës. Ai shënoi gol të bukur në minutën e pestë për 1:0. Edhe më i bukur ishte asistimi i Neymarit. Mbappe shënoi golin e dytë në minutën e 22-të. Finalizoi një aksion shumë të bukur të skuadrës së Parisit.

Raste tjera ka pasur Parisi në pjesën e parë, por pa shënuar më.

Ndërkohë fillimi i pjesës së dytë ishte më i barabartë. Skuadra italiane reagoi, ndërsa ngushtoi epërsinë në minutën e 53-të. Ishte rezervisti Weston McKennie që shënoi për ta kthyer në lojë skuadrën italiane.

Më pas Juve kishte rast edhe për të barazuar rezultatin, por shifrat nuk ndryshuan. Ndërkohë Parisi stabilizoi lojën dhe e kontrolloi rezultatin deri në fund.

Në ndeshjen tjetër të grupit H, Benfica ka fituar 2:0 ndaj Maccabi Haifas.