Parlamenti i Kroacisë miratoi sot me shumicë votash Ligjin për ndërtimin e një qendre për asgjësimin e mbeturinave radioaktive, i cili krijon parakushtet ligjore dhe të planifikimit hapësinor për ndërtimin e një qendre kombëtare për ruajtjen afatgjatë të mbetjeve radioaktive, raporton Anadolu.
Gjithsej 134 deputetë votuan për Ligjin, 77 deputetë ishin pro, 36 abstenuan, ndërsa 21 deputetë ishin kundër.
Ligji rregullon ndërtimin dhe themelimin e Qendrës së menaxhimit të mbetjeve radioaktive, e destinuar për ruajtjen e mbetjeve radioaktive me nivel të ulët dhe të ndërmjetëm të gjeneruara në territorin e Kroacisë si dhe mbetjeve që Kroacia merr përsipër në bazë të detyrimeve ndërkombëtare që lidhen me funksionimin e Termocentralit Bërthamor Kërshko.
Ish-lokacioni ushtarak Çerkezovac në “Tërgovska Gora”, ku është planifikuar ndërtimi i një objekti qendror depozitimi për mbetjet radioaktive dhe burimet e përdorura, është specifikuar në ligj si një vendndodhje e preferuar për ndërtimin e Qendrës.
Përfaqësuesi parlamentar i pakicës kombëtare boshnjake, Armin Hoxhiq, anëtar i shumicës qeverisëse, abstenoi nga votimi sepse, siç tha ai, është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, dimensionin e saj afatgjatë ekologjik dhe shqetësimet e veçanta të popullsisë përgjatë kufirit me Bosnjë e Hercegovinën.
“Çështja e ‘Tërgovska Gorës’ nuk mund dhe nuk duhet të reduktohet në një vendim teknik ose administrativ. Kjo është një temë që ndikon në mbrojtjen e shëndetit të njeriut, ruajtjen e mjedisit dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe si e tillë kërkon garanci shtesë, transparencë dhe dialog të vazhdueshëm me të gjitha palët e përfshira. Përmbajtja në këtë rast është një shprehje e qëndrimit tim dhe një mesazh se kjo çështje nuk është mbyllur, por kërkon shqyrtim të mëtejshëm, një kuadër më të fortë ndërkombëtar dhe përfshirjen e qartë të publikut profesional dhe vendas”, tha Hoxhiq.
Në shpjegimin e saj, qeveria theksoi se miratimi i ligjit është i nevojshëm për të përmbushur detyrimet ndaj Bashkimit Evropian dhe marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe për të siguruar asgjësimin afatgjatë dhe të sigurt të mbetjeve radioaktive.
Gjatë diskutimit, një pjesë e opozitës dhe përfaqësuesit e komuniteteve lokale shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit, duke paralajmëruar për rreziqet e mundshme për mjedisin dhe sigurinë ndërsa disa aktorë politikë nga BeH fqinje shprehën shqetësim në lidhje me vendndodhjen e planifikuar në “Tërgovska Gora”, e cila ndodhet pranë vijës kufitare.
Miratimi i ligjit hap rrugën për vazhdimin e aktiviteteve të zbatimit, përfshirë dokumentacionin e planifikimit hapësinor dhe përgatitjen e projektit të ndërtimit të Qendrës.



