Sot me fillim prej orës 10:00 ishte paraparë të fillojë seanca e thirrur nga opozita për debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo gjysmë ore pas orarit kur ishte planifikuar të fillonte kjo seancë, Kuvendi ende nuk ka hapur punimet, shkruan lajmi.net.
E siç duket PDK dhe AAK nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket pjesëmarrjes në këtë seancë të jashtëzakonshme.
Burime të lajmi.net brenda Partisë Demokratike të Kosovës, bëjnë të ditur se nga mbledhja që është mbajtur mëngjesin e sotëm, është vendosur që kjo parti mos të jetë e pranishme në sallë.
“Kemi vendosur në mbledhjen që e kemi pasur sot, që mos të marrim pjesë”, ka thënë ky burim.
E deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë për lajmi.net se partitë opozita nuk po sillen seriozisht karshi obligimeve të tyre.
Ajo ka shtuar se opozita është dashur të lërë anash inatet politike dhe të marrë pjesë edhe në seancën e thirrur nga Qeveria.
Haxhiu po ashtu ka konfirmuar se partia e saj nuk do të marrë pjesë në seancë.
“Jo, nuk marrim pjesë, ngase fatkeqësisht kjo lojë është duke u bërë nga opozita, ngase po ta kishin seriozisht, ata do të merrnin pjesë edhe në seancën e thirrur nga opozita, ngase vazhdimisht nga secili subjekt politik është kërkuar përgjëegjësi nga Qeveria, andaj nuk kishte asgjë të keqe që të merrnin pjesë në një seancë ku u kërku të votohej një delegacion nga Qeveria e Kosovë. Unë ftoj që të gjithë që të ulen dhe t’i lënë anash inatet e tyre për shkak se janë në pyetje interesat e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Kujtojmë se seanca për emërimin e ekipit negociator të propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk është mbajtur ende në mungesë të kuorumit