Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u takua sot në Bruksel me Presidenten e Parlamentit Evropian( PE), Roberta Metsola, ndërkohë kryeparlamentari i Shqipërisë, ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) është një proces transformues i institucioneve, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se kjo vizitë u zhvillua në kuadër të intensifikimit të diplomacisë parlamentare dhe angazhimeve të Kuvendit për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian ndaj Shqipërisë dhe theksoi se perspektiva evropiane e vendit mbetet e qartë, afatgjatë dhe e pakthyeshme. Ai nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një slogan politik, por një proces transformues i institucioneve, i qeverisjes dhe i jetës së përditshme të qytetarëve, duke theksuar konsensusin politik dhe parlamentar, si edhe mbështetjen e gjerë popullore për procesin e anëtarësimit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se në fokus të bisedës ishte progresi i Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të negociatave, veçanërisht në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Kryetari Peleshi vuri në dukje se “Shqipëria është vendi kandidat me vendosmërinë më të madhe dhe që ecën me shpejtësinë më të lartë drejt familjes evropiane, ndërsa reformat po avancojnë mbi bazën e rezultateve konkrete dhe treguesve të matshëm”.
“Presidentja Metsola vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit, bashkëpunimin shumë të mirë të Parlamentit Evropian me Kuvendin, si edhe angazhimin parlamentar dhe institucional të Shqipërisë për përshpejtimin e bashkimit me familjen evropiane. Hapja e Zyrës Rajonale të Parlamentit Evropian në Tiranë u cilësua si një sinjal i qartë i angazhimit të Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë dhe perspektivës së saj evropiane”, thekson njoftimi.
Gjithashtu thuhet se Peleshi rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për reforma demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të pakthyeshme, “duke e konsideruar Parlamentin Evropian një partner kyç dhe një busull morale të projektit evropian”.
Nga ana tjetër, në një reagim në rrjetet social për takimin, Peleshi ka theksuar se “Objektivi strategjik kombëtar për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të qenë gati për anëtarësim brenda kësaj dekade po ndiqet me realizëm, përgjegjësi dhe me respekt të plotë për procesin e zgjerimit të bazuar në merita”.

