Përgjigjet Bartomeu: Messi dëshiron të përfundojë karrierën te Barcelona

Presidenti i Barcelonës është përgjigjur ndaj zërave që thonë se Messi dëshiron largimin nga Barcelona.

Josep Maria Bartomeu, njeriu në krye të skuadrës së Barcelonës, ka thënë disa fjalë lidhur me thashethemet që largojnë Messin nga Barcelona.

Gjatë gjithë javës së kaluar është raportuar për një largim të argjentinasit nga Barcelona në fund të sezonit tjetër, por këtu duket të mos ketë asgjë të vërtetë.

Bartomeu ka thënë se Lionel Messi dëshiron që karrierën e tij ta mbyll me skuadrën e Barcelonës.

“Nuk do të jap detaje, por Messi gjithnjë ka thënë se do të përfundojë karrierën e tij te skuadra e Barcelonës”, ka thënë Bartomeu, transmeton lajmi.net

“Ne jemi të fokusuar në garën për titull dhe nuk ka negociata me lojtarët. Messi dëshiron të vazhdojë dhe dëshiron të mbyll karrierën këtu. Ai ka disa vite të mbetura dhe ne do ta shijojmë sa më gjatë që mundemi”, ka shtuar mes tjerash presidenti i Barcës.

Zërat se Messi do të largohet kanë qarkulluar shpeshherë viteve të fundit, por argjentinasi gjithmonë ka përfunduar duke nënshkruar kontratë të re.

Mbetet të shihet se si do të ecin punët kësaj radhe për argjentinasin dhe skuadrën e Barcelonës.