Policia Ndalon Xhumanë tek Ura e Ibrit

Policia e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Bashkësisë Islame për faljen e namazit të Xhumasë tek lokacioni i xhamisë së Ibrit në afërsi të urës që ndanë veriun me jugun.

 Izet Feka, sekretar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, u shpreh i bindur se Policia në veri do ta shqyrtojë në të ardhmen kërkesën e tyre më seriozisht dhe do të ketë në konsideratë mendimin, dëshirën, si dhe nevojën e xhematit për faljen e xhumasë në këtë lokacion.

“Ne kemi bërë një kërkesë sot me fal xhumanë. Është refuzuar ajo kërkesë prej policisë, por besoj se në të ardhmen kanë me shqyrtu këtë kërkesë më seriozisht dhe besoj se kanë me pas në konsideratë edhe mendimin, dëshirën apo nevojën e xhematit… Në bazë të ligjit, në vendet ku ekziston prona e BI-së dhe prona e komuniteteve fetare, nuk kërkohet leje, kërkohet vetëm një paralajmërim”, tha Feka.

Në anën tjetër, Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka qartësuar se policia asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk është kundër kryerjes së ritualeve fetare të cilitdo komunitet qofshin ato.

Mirëpo, shtoi ai, për policinë është shumë me rëndësi që kryerja e këtyre ritualeve, të bëhet në mënyrën më të sigurtë për qytetarët dhe të mos ketë incidente.

“Arsyetimet tona kanë qenë të pranuara edhe nga vetë kreu i BI-së… Mënyra e zgjidhjes së këtij problemi duhet të zgjidhet në forma tjera, nga pushteti lokal deri në nivelin e pushtetit qendror… Policia e Kosovës vetëm mbi bazën e sigurisë nuk ka lejuar një tubim të tillë.

Sa për t’u mos u keqkuptuar, nuk është çështja se falja e një namazi paraqet rrezik për një pjesë tjetër, dhe policia e Kosovës nuk është kundër kryerjes së këtyre ritualeve, por qëllimi është që ne t’i mbrojmë këta persona që bëjnë faljen e këtij namazi që kjo të bëhet në mënyrën më të sigurt dhe tërë kjo të kaloj pa incidente”, ka thënë Hoti.