Ballina Artikuj Porosia e një babai për djalin e tij

Porosia e një babai për djalin e tij

Hoxhë Sadik Avdiu

Biri im, kjo është porosia ime për ty:

1. Në raport me Zotin

* Mos e harro kurrë Allahun në kohë të mira, që Ai të mos të lërë në kohë të vështira.
* Mos e lër namazin për asnjë pretekst, sepse lidhja jote me Allahun është forca jote më e madhe në këtë jetë.
* Kur të ngushtohet zemra dhe të mbyllen dyert, mos harro se dera e Allahut është gjithmonë e hapur. Kërkoji Atij para se t’u ankohesh njerëzve.
* Mos e ndërto jetën tënde duke kërkuar kënaqësinë e njerëzve e duke harruar kënaqësinë e Allahut. Nëse Allahu është i kënaqur me ty, nuk ka rëndësi kush është i pakënaqur me ty.

2. Në raport me veten

* Ruaju nga humbja e besimit në veten tënde dhe mos iu dorëzo kurrë disfatës.
* Ruaju nga ndjenja e inferioritetit dhe mos e prano kurrë poshtërimin.
* Ruaju nga vetëkënaqësia, sepse ajo mund të të verbojë dhe të të bëjë të shohësh madhështi aty ku nuk ka.
* Mos e shty për nesër atë që mund ta bësh sot.

3. Në raport me njerëzit

* Ruaju nga t’i bësh padrejtësi një të dobëti, i cili nuk ka mbrojtës tjetër përveç Allahut.
* Mos e tradhto kurrë atë që të ka besuar, edhe nëse ai vetë të ka tradhtuar.
* Mos u shoqëro me njerëz të ulët dhe mos ia beso zemrën apo sekretet e tua gënjeshtarit.
* Mos ndërhy në atë që nuk të takon, që të mos dëgjosh fjalë që nuk të pëlqejnë.

4. Në ballafaqim me jetën

* Mos e ndërto kurrë lumturinë tënde mbi mjerimin e të tjerëve.
* Mos iu afro pasurisë së paligjshme, sado e madhe të jetë nevoja jote.
* Mos i shpalos brengat e tua para dikujt që nuk mund të të sjellë as dobi, as dëm.
* Mos i harro kurrë mirësitë dhe ndihmën e atij që ta zgjati dorën në kohën e vështirësisë.

Biri im, jeta do të të mësojë shumë gjëra, por ruaje gjithmonë veten, nderin, besnikërinë dhe lidhjen tënde me Allahun. Sepse njeriu mund të humbasë shumë gjëra në jetë, por nuk duhet ta humbasë kurrë veten.

Hoxhë Sadik Avdiu