Presh i pjekur në qumësht

PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 700-800g presh, 200 ml qumësht, 2 lugë e gjysmë me miell, 100 ml panna, 250 g djathë i bardhë, 100g gjalpë, 3 kokrra vezë dhe kripë.

PËRGATITJA: Pastroni preshin duke e qëruar dhe larë me ujë të bollshëm. Pasi të keni hequr disa nga gjethet e trasha, priteni në rrathë më të vegjël se kur përgatisni burani apo gjellë me presh. Vendosini në një tas me ujë të ftohtë, kështu largoni dhe papastërtitë që mund të kenë mbetur. Pasi t’i kulloni nga uji, t’i thani me një letër kuzhine. Ndërkohë vendosni një tigan në zjarr ku do të shkrininpak gjalpë. Skuqni lehtë preshin duke e përzier herë pas here. Jepini shije me kripë dhe piper të zi, por nëse dëshironi mund të përdorni edhe arrë moskat. Sapo të jetë zbutur, vendosni kapak tiganit dhe ta lini preshin për dy minuta në zjarr. Në një tas hidhni qumështin dhe përziejeni me miellin dhe vezët. Kur të shihni që mielli është tretur plotësisht, shtoni panna-n dhe djathin e thërrmuar. Lyeni një tavë me pak gjalpë dhe aty hidhni preshin dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen e saj. Kështu dhe do të ftohet për të mos priten vezët që keni te salca e qumështit. Këtë salcë hidheni mbi preshin dhe mund ta spërkatni nëse dëshironi me pak kripë. Futeni për t’u pjekur në 200 gradë për 30-40 minuta, ose derisa qumështi të jetë mpiksur. Ju bëftë mirë!