Presidenti Thaçi dënon sulmin terrorist në Zelandën e Re

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka dënuar ashpër sulmin terrorist që ndodhi në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re, ku humbën jetën rreth 50 persona dhe 20 të tjerë u plagosën.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re.

“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vrarë 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re. Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e përshkroi këtë si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të errrëta” të vendit.

Në ndërkohë, zëdhënësi i Policisë ka njoftuar se për këtë rast tre burra dhe një grua janë në paraburgim derisa ka paralajmëruar se shumë të dyshuar të tjerë mund të jenë akoma të lirë.

Autoritetet kanë këshilluar që të gjitha xhamitë në qytet të mbyllen deri në një njoftim tjetër duke thënë se ky ishte një akt i pashembullt i dhunës.