Prishtina luan pa gola ndaj Larnes, në duelin e parë të Ligës së Konferencës

Prishtina luan pa gola në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës kundër Larnes.

Në duelin e luajtur në Irlandë të Veriut, bardhekaltrit luajtën 0:0, dhe kanë mundësinë që të kalojnë tutje, një javë më pas kur do të zhvillojnë duelin e kthimit në “Fadil Vokrri”.

Të zgjedhurit e trajnerit Arsim Thaqi, patën disa mundësi të mira shënimi, që të ktheheshin me së paku një gol nga Irlanda e Veriut.

Në pjesën e parë, rast të mirë shënimi lëshoj Blend Baftiu, ndërsa portieri Ardit Nika priti dy herë suksesshëm tsntimet e vendësve.

Prishtina pati rast të artë për të kaluar në epërsi ndaj Larnes në minutën e 64-t.

Pas harkimit të Valmir Veliut, Leotrim Kryeziu gjuajti me kokë, por portieri kundërshtar e priti gjuajtjen e parë të kapitenit. Kryeziu edhe pas topit të kthyer u ndal nga portieri kundërshtar.

Pas topit të kthyer sërish në zonë, Gjelbrim Taipi tentoi me të djathtën, por një mbrojtës i Larnes e largoi topin nga vija e portës.

Kjo Ishte mundësia më e mirë për Prishtinën. /teve1