Projektrezoluta e AAK-së për kushtëzimin e dialogut “hipokrizi” apo e “qëlluar”?

Deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë iniciuar mocionin për nxjerrjen e një Projektrezolute me të cilën do t’i kërkohej Qeverisë që të mos e filloj fazën finale të dialogut me Serbinë pa u bërë liberalizimi i plotë i vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas tyre, liberalizimi i vizave do të dëshmonte se Kosova është e barabartë me vendet e rajonit.

Kjo rezolutë pritet të paraqitet në seancën e radhës në Kuvend.

Mirëpo, iniciativën e tillë të AAK-së disa analistë e kanë quajtur hipokrizi, e për të tjerë kjo iniciativë është e qëlluar.

Politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se iniciativa e AAK-së është e qëlluar dhe e drejtë sepse Kosova duhet ta ketë liberalizimin e vizave.

Sipas tij, gjërat në politikë nuk bën të kushtëzohen nëse nuk kanë lidhshmëri njëra me tjera.

“Iniciativa e AAK-së është e qëlluar dhe e drejtë sepse Kosova duhet ta ketë liberalizimin e vizave, edhe nga fakti se ne këtu kishim misionet ndërkombëtare më të mëdha që i ka pas ndonjëherë Kosova në periudhën e pasluftës”, ka thënë Tahiri.

Ai tha se Kosova ka mbetur e fundit edhe pse i ka plotësuar të gjitha kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave, mirëpo sipas tij ka zëra në BE që kjo gjë do të ndodh pas zgjedhjeve të 2019, në Bashkimin Evropian (BE).

“Tash po i shtohet dhe një kusht tjetër pasi janë bartur kompetencat e EULEX-it tek institucionet vendore dhe në BE ka zëra që Kosova të pret një vit, që i bie deri të kalojnë zgjedhjet e 2019 në BE, dhe të shihet performanca e institucioneve të Kosovës në disponimin e këtyre kompetencave që ia ka bartur prej EULEX-it. Kjo është një nga arsyet e vonesës së raportit të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave që nuk po mund të shqyrtohet dhe që janë vonuar”, u shpreh ai.

Ndërsa sa i përket Kuvendit të Kosovës ai tha se duhet të jetë më aktiv dhe është krejtësisht e drejtë ta udhëheq procesin dhe të kushtëzoj dialogun.

“Opinioni ka të drejtë kur thotë që Serbia po shpërblehet në rrugën e vet evropiane dhe Kosova nuk po ka ndonjë benefit. Kosova ka pas shumë lëshime në këtë dialog duke u nisur nga ajo fusnota e famshme, e cila e ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e saj. Ne edhe me insistimin e BE-së kemi hyrë me kushtëzimet nga të cilat po ka edhe destabilitet politik por që nuk po dimë të dalim sepse Serbia po shkon duke i rrit kushtet”, tha ndër të tjera politologu Tahiri.

Tahiri gjithashtu theksoi se pret që Kuvendi ta miratoj unanimisht këtë rezolutë të propozuar nga AAK-ja dhe të jetë obligative.

Por analisti Imer Mushkolaj iniciativën e AAK-së e ka cilësuar si hipokrite.

“Kushtëzimi i vazhdimit të dialogut me liberalizim të vizave duhet të jetë qëndrim i institucioneve të vendit. Megjithatë, kjo iniciativë e AAK-së është hipokrite. Haradinaj e ka pasur në dorë që vizat të liberalizohen qysh para tri vjetësh, kur e kundërshtoi demarkacionin, e që e pranoi kur u bë kryeministër”, u shpreh Mushkolaj.

Ai më tej shtoi se po të kishte vepruar me kohë kryeministri Haradinaj, tashmë qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm.

Në anën tjetër deputetja e VV-së, Fitore Pacolli përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar si hajgare këtë iniciativë të AAK-së.

“Sot deputetët e partisë së Kryeministrit paskan marrë vendim të sjellin në Kuvend rezolutën për të kushtëzuar dialogun me liberalizimin e vizave. Kjo është me ba hajgare me qytetarët e Kosovës.

Për humbjen e 8 mijë hektarëve tokë dhe për mos liberalizimin e vizave Kryeministri duhet të jap përgjegjësi. Qeveria e tij e pakicës duhet të bie sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Pacolli.

Përkundër kësaj AAK beson se do të ketë edhe përkrahjen e partive tjera në pozitë e opozitë për këtë nismë të saj.