Ballina Artikuj Propagandë turpi!

Propagandë turpi!

Sali Shasivari

Çdokush që e njeh Dr Bashkim Aliun, e din mirëfilli se, ai, jo vetëm që është një personalitet i formësuar njerëzisht, dhe një intelektual i përgatitur profesionalisht, por, në të njejtën kohë, ai është një veprimtar i dëshmuar me punën dhe aktivitetin e tij sikurse në trojet shqiptare dhe në rajon, poashtu edhe në mesin e mërgatës shqiptare në Perendim dhe gjetiu.
Puna dhe kontributi i tij, në mes tjerash, është dëshmuar përmes shumë aktiviteteve, ligjeratave, botimeve, etj., duke e shndërruar atë në një personalitet që promovon vlera të mirëfillta njerëzore, fetare, dhe kombëtare, dhe në një ‘ambasador nderi’ që përçon mesazhe universale, pozitive dhe konstruktive në të gjitha sferat dhe hapësirat; personalitet ky, i cili paraqet aset dhe nder për popullin të cilit i takon…
Mirëpo, për fat të keq, në kohën e sotme të pakohë, në kohën e ‘postruthit’ (post-të vërtetës), në kohën e ‘lëngshmërisë’ së gjithçkahit, në kohën e antivlerave, dhe në kohën e propagandës së paskrupullt, ‘turpi është ulur këmbëkryq’…!
E, kur një ‘turp’ i këtillë prek ‘nënqiellin palo-shqiptar’, i njejti shndërrohet në ‘skandal’…!
Kështu, një artikull gazetaresk i botuar në një gazetë zvicerane, me të ‘ateruar’ në masmediat shqiptare, u shndërrua në dramë të përmasave tragjikomike, me ç’rast, përpos që çdo titull u bë më ‘bombastik’ dhe më ‘tragjikomik’ se tjetri, edhe përmbajtja e tyre qe në disproporcion të plotë me artikullin origjinal, si dhe në kundërshtim total me të vërtetën…!
Madje, ato që bien në sy, janë komentet histerike, të mbushura me urrejtje, blasfemi, baltosje, sharje, dhe linçim ndaj gjithçkahit, duke filluar nga sulmet ‘ad-hominem’, e, deri te sulmet ndaj islamit, muslimanëve, diasporës shqiptare, predikuesve fetar, etj.!
E vetmja gjë që mungon në këto shkrime dhe komente, është arsyeja, njerzillëku, analiza, dhe e vërteta…!
Kështu, për shembull, në vend që të prezumohet pafajësia përderisa të analizohen rrethanat, realiteti, motivet e autorit të artikullit origjinal, analizimi i akuzave në fjalë, etj.; lexuesi e gjen vehten virtualisht para një ‘gjykate të stilit inkuizicionist mesjetar’ e cila po e ‘gjykon dhe dënon‘ në retrospektivë një ‘heretik’ i cili ka marrë guximin që ta kritikojë një paradë (të ndodhur diku në vitin 2017 në Kosovën kreshnike) të një pakice shumë të vogël të pjestarëve të një fenomeni social të ashtuquajtur LGBTI+, fenomen ky që bie ndesh me bindjet e tij personale dhe fetare, dhe, në të njejtën kohë, ka marë guximin që ta shfrytëzojë lirinë e shprehjes, duke e cilësuar të njejtën si ‘paradë turpi’… E ajo që është edhe më ‘tragjike’, është guximi i tij për pjesëmarrje në një konferencë, dhe të qenurit e tij audiencë përgjatë një fjalimi…!
Çfarë ‘gjetje epokale’, dhe, çfarë ‘heretizmi’ ndaj ideologjisë bashkëkohore të ‘xhenderizmit’ dhe ‘neo-komunizmit’!
O tempora, o mores!
‘Nëse nuk ke turp, bëj çfarë të duash’, thotë fjala e urtë!; mirëpo, ‘Çka është turpi për rezilin?!’, tingëllon fjala e urtë popullore!
Andaj, meqë kemi të bëjmë me një propagandë turpi të rradhës, le ta injorojmë si të tillë, dhe le ti lëmë autorët e së njejtës ta hanë turpin e tyre me bukë…!
Ndërsa, Dr Bashkim Aliut le ti dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe suksese.

Sali Shasivari