Propozimi i Qeverisë që bizneseve t’u rritet çmimi i rrymës do të ndikojë në koston e produkteve

Propozimi që Qeveria paraqiti një ditë më parë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike veç për biznese është interpretuar nga njohësit si veprim që do të ndikojë në ngritjen e çmimeve të produkteve. Ata ndërkaq e kualifikojnë si të pakuptimtë propozimin e ZRRE-së për rritjen e tarifave në shkallë prej 14 për qind, përderisa çmimi i energjisë në bursa ndërkombëtare ka shënuar ulje
Propozimi i Qeverisë që tarifat e energjisë elektrike të rriten vetëm për bizneset, e që për konsumatorët e amvisërisë të mbeten të pandryshuara, do të ndikojë që kostoja e produkteve të bizneseve të shënojë ngritje, kanë vlerësuar njohësit.

Këtë propozim, Qeveria e paraqiti në kuadër të komenteve dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për procesin tarifor, i cili pritet të përmbyllet në fund të këtij muaji.

Burim Ejupi, drejtor në INDEP, vlerësoi se çmimet e energjisë duhet të jenë të njëjta për të gjithë konsumatorët, pasi që bëhet fjalë është produkt të njëjtë.

“Propozimi i Qeverisë që barra t’i kalojë biznesit mund të reflektojë drejtpërdrejt në punën e biznesit. Nëse janë biznese prodhuese, atë kosto, ne si konsumatorë, do ta paguajmë. Kjo dihet që Kosova nuk ka eksporte të mëdha dhe ato pak kompani prodhuese, shumicën e tyre e shesin në Kosovë dhe në fund të ditës ne si konsumatorë do ta paguajmë atë kosto. Nëse Qeveria po thotë se duhet ata me marrë barrën atëherë në fund ne e paguajmë dhe nuk është se zgjidh ndonjë problem”, ka thënë Ejupi.

E profesori Ujkan Bajra, megjithëse thotë që nga ngritja e tarifave për bizneset do të pësojnë konsumatorët, e sheh të arsyeshme që kësaj radhe, ndryshe prej vitit të shkuar, të preken edhe ato.

“Propozimi i Qeverisë është më i balancuar dhe më pak i dhimbshëm për konsumatorin final, marrë parasysh krizën ekonomike. Çfarëdo rritje të energjisë në këto rrethana theksojmë se do ta godiste konsumatorin, mirëpo nëse shpërndahet te bizneset besoj që përballimi do të ishte pak më i lehtë”, ka thënë Bajra.

Por ai e kualifikon të pakuptimtë propozimin e ZRRE-së për rritjen e tarifave në shkallë prej 14 për qind, teksa në fund të vitit të shkuar dhe në këtë fillimvit është shënuar ulje e çmimit të energjisë.

Komente për tarifat e energjisë dorëzuan edhe palë e tjera, përfshirë Presidencën, që kërkoi të mos ketë rritje të tarifave e që kostoja shtesë e operatorëve, e diktuar nga importi, të mbulohet prej 75 milionë eurosh të ndara nga Bashkimi Evropian.

Por këto mjete, sipas marrëveshjes së firmosur në nëntorin e shkuar, nuk parashihen për mbulimin e tarifave. 25 milionë euro parashihen për subvencionimin e faturave të energjisë dhe të atyre për metoda alternative të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti, për rreth 200,000 familje.

15 milionë euro parashihen për ata që kursejnë energji e 35 milionë si ndihmesë për familje dhe për ndërmarrje të vogla e të mesme që e rrisin efiçencën.