Kutia dhe mbajtëset e çatisë duhet të hiqen nëse nuk do t’i përdorni. Kutia e çatisë peshon mesatarisht nga 15 deri në 20 kilogramë, rrit rezistencën ndaj ajrit dhe konsumin e karburantit deri në dy litra. Le të jemi pak më të saktë.
Edhe vetë e dini që veturat janë dizajnuar të jenë aerodinamikisht sa më efikase, për sa kohë nuk u shtohet asgjë. Nëse jeni të detyruar ta bëni këtë, hiqni gjithçka pas përdorimit – përveç nëse bëni pjesë në grupin e atyre që s’e kanë problem të paguajnë më shumë për karburant, por të tillë janë pak.
Një studim zbuloi se përdorimi i kutive të çatisë mund të rrisë konsumin e karburantit deri në 50 për qind, megjithatë ky është një rast ekstrem.
Zakonisht, shoferët shpenzojnë 10 deri në 25 për qind më shumë karburant për shkak të kutisë së çatisë. Kjo ndodh sepse rritja e sipërfaqes së përparme ndikon negativisht në aerodinamikë.
Edhe një mbajtës çatie bosh mund të shtojë deri në 15 për qind në faturën e karburantit. Pesha shtesë dhe rezistenca e ajrit nga kutia e çatisë, biçikletat ose bagazhet e vendosura mbi çati e përkeqësojnë situatën. Sa më e madhe shpejtësia dhe sa më aerodinamike makina, aq më i madh efekti.
Një tjetër studim dha rezultate interesante për mbajtëset e biçikletave në çati. Me to, vetura konsumon rreth 10 për qind më shumë karburant për 100 kilometra sesa pa to. Kur biçikletat janë ngarkuar mbi çati, konsumi rritet deri në 25 për qind.








