Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse Turqia është pjesë e Bordit të Paqes së Trump?

Pse Turqia është pjesë e Bordit të Paqes së Trump?

Një vështrim kritik mbi planin për Gazën dhe rolin garantues dhe strategjik të Ankarasë

Në analizën e tij të fundit për gazetën “Daily Sabah”, gazetari i njohur turk Hakkı Öcal shpjegon arsyet komplekse pse Ankaraja ka pranuar të bëhet pjesë e “Bordit të Paqes” të Donald Trump-it, duke argumentuar se prania e Turqisë aty është një domosdoshmëri pragmatike për të shpëtuar jetë njerëzish.

Argumenti kryesor i autorit bazohet në faktin se, pavarësisht natyrës “farsë” të marrëveshjes, shkalla e vdekjeve ditore në Gaza ka rënë ndjeshëm. Përballë një masakre ku vritej një në çdo 33 banorë, ky ngadalësim i konfliktit brutal është arsyeja parësore e përfshirjes turke në këtë format.

Öcal kritikon ashpër Trump-in lidhur me injorimin e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se krijimi i një “bordi privat”, shërben për të shmangur veton e Rusisë dhe Kinës, duke i hapur rrugë planeve sioniste për një shtet izraelit “vetëm për hebrenjtë”.

Një tjetër argument kyç i autorit, është se ky plan nuk synon paqen e vërtetë, por shndërrimin e Gazës në një lloj “Riviere” me megaqytete teknologjike, duke e trajtuar çështjen si një transaksion pasurish të patundshme që shpërfill plotësisht të drejtat e palestinezëve.

Öcal shpreh shumë qetësim për faktin se trupat stabilizuese, përfshirë ato nga Shqipëria dhe Kosova, do të jenë nën komandën e Gjeneralit Jeffers dhe Sekretarit Pete Hegseth, orientimi ultrakonservator i të cilit vë në dyshim paanësinë e forcës.

Autori nënvizon se asnjë palestinez nuk është pjesë e bordit apo nuk është konsultuar për planin, i cili dështon të trajtojë shkakun rrënjësor: sistemin e aparteidit izraelit. Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, e ka bërë të qartë se Turqia mbetet e palëkundur për zgjidhjen me dy shtete.

Öcal e mbyll argumentin duke thënë se Turqia “mban karrigen” në atë bord jo sepse beson te plani i Trump-it, por për të qenë gati të marrë përsipër mbrojtjen e palestinezëve në çastin kur të dështojë ky mekanizëm i kontrolluar nga Uashingtoni dhe sionistët.

Pra prania turke shihet si një garanci strategjike që zëri i Gazës të mos shuhet plotësisht në një dhomë ku mbizotëron axhenda amerikane dhe izraelite. /tesheshi