Publikohet lista e Kosovës për ndeshjet e nëntorit, Challandes vjen me emra të rinj

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes e ka publikuar listën e futbollistëve për tri ndeshjet e muajit nëntor.

Kosova do të luajë miqësoren kundër Shqipërisë, më 11 nëntor dhe dy ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë, më 15 nëntor në Lubjanë dhe Moldavisë, më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Përzgjedhësi Challandes për këto tri ndeshja ka ftuar 27 futbollistë, si dhe dy lojtarë i ka në listën rezervë.

Për herë të parë janë ftuar Betim Fazliji nga klubi zviceran, St.Gallen dhe sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku, i cili deri më tash ishte pjesë e Kombëtares U21. Ndërkohë, Bernard Berisha është rikthyer në listën e teknikut zviceran.

Dardanët do të grumbullohen më 9 nëntor në Durrës.