Qimja e bardhë

Mustafa Lutfi Manfeluti (r.a)

Sot kalova para pasqyrës dhe kalimithi vura re në kokën time një qime të bardhë, e cila vezullonte mes shllungës së zezë si drita e vetëtimës në një natë të errët!

E pashë qimen e bardhë! U pikëllova kur e pashë! Mu duk si një shpatë e zhveshur që fati e kishte shkruar mbi kokën time, apo si një flamur i bardhë, që një lajmërues i botës së fshehtë më paralajmëron se exheli më është afruar, apo si një pesimizëm vrastar që pengon çdo lloj shprese, apo si një gacë zjarri që kapet pas fijes së jetës ashtu siç kapet pas drurit që e bën hi! Jam i sigurtë, se pavarsisht sa avash ecën në rrugëtimin e saj dhe ndalesat që bën, në fund do të arrijë në destinacion. Ajo mu duk si një nga fijet e qefinit, të cilin e end koha dhe e bën veshjen time, atëherë kur ai që lan kufomën ta vesh do apo nuk do!

Ti moj qime e bardhë!
Nuk kam parë të bardhë me të zezë se bardhësia jote! Nuk kam parë dritë me të errët se drita jote! Ti më ke bërë të urrej çdo të bardhë, madje edhe bardhësinë e hënës. Më ke bërë të urrej çdo dritë, madje edhe dritën e syrit! Më ke bërë të të uroj çdo gjë të zezë, madje edhe të zezën e sorrës. Ty të uroj çdo gjë të errët, madje edhe errësirën e shpirti!

Ti moj qime e bardhë!
Nga e gjete dritaren për tu futur në kokën time? Cilën rrugë ndoqe që u fute në kokën time?! Si tu bë mbarë të qëndrosh në këtë tokë të shkretë ku nuk gjen askënd të sojit tënd të të shoqërojë dhe që me ty kohën ta kalojë?! A nuk u frikësua zemra jote nga kjo pamje e qymyrtë?! A nuk tu verbua syri nga kjo erresirë pus?!

Ti moj qime e bardhë!
Më ke lodhur jashtë mase! Nuk kam më fuqi të të mbart! Nuk gjej dot rrugë shpëtimi prej teje dhe të shporrem nga fytyra jote! Është e kotë të të shkul, pasi menjëherë ti kthehesh përsëri. Nuk shpëtoj prej teje edhe nëse të lyej me të zezë, pasi shumë shpejt do e lash atë, ashtu siç nuk dua që të mbledh dy fatkeqësi në një vend: fatkeqësinë e thinjave dhe fatkeqësinë e mashtrimit!

Ti moj qime e bardhë!
Kur të shikoj ty, më parafytyrohesh si një mjeshtre e mashtrimit, zgjuarsisë, kurtheve dhe ligësisë. Ti u përshpërit në vesh motrave të tua të zeza që janë përreth teje. Mundohet ti joshësh që të të ngjajnë ty dhe të veshin rrobat e tua. Sikur ti ke ndezur në këtë ambient të qetë dhe të sigurtë një luftë të ashpër dhe sprovë të errët, përdor të gjithë arsenalin tënd, duke shkatërruar këdo që qëndron para teje, atë që është në këmbë, atë që është u ulur, fajtorin dhe viktimën! Nëse kjo është rruga jote dhe ky është triumfi yt, ti do të jesh si ai turisti i bardhë që është nisur për të zbuluar popujt zezakë, e që më vonë i kolonializon, futet me paqe në tokën e tyre dhe del me luftë prej tyre. I lutem Zotit ta shpëtojë kokën time prej teje, popullin zezak ta shpëtojë nga shoku yt, pasi të dy ju jeni ogurzinj sapo shfaqeni dhe kur largoheni. Në lëvizjen dhe qëndrimin tuaj, ju jeni si saturni!

Ti moj qime e bardhë!
Kush je ti? Përse ke ardhur tek unë? Çfarë do tek unë dhe pse dëshiron të qëndrosh tek unë?! Nëse ke ardhë si mik, përse nuk merr leje si miku, përse nuk afrohesh me butësi, me hijeshi dhe dashuri? Nëse je paralajmërues, unë e njoh më mirë se ti vdekjen, pasi ajo nuk ka nevojë për të dërguar paralajmërues! Ti nuk je gjë tjetër vetëm se një nga krijesat më të shëmtuara dhe nga më të rrezikshmet! Ti je aq e ligë dhe aq fodulle saqë nuk gjej që të përngjasojë përveç asaj nëpërkës, e cila futet nëpër vrimat e insekteve dhe i bën shtëpi të saj dhe i konsideron ambient të saj.

Mos vallë ti – ty që të kanë përshkruar se je shumë e hollë dhe tinzare, ty që të kanë lëshuar piskatoret dhe çdo mjet shkulës, të cilat të hazdisura të sulen a thua se nuk gjendet vendi ku je ti – e tmerron atë zemrër që nuk i bën syri tërr para shpatës së zhveshur dhe shigjetës që po del nga harku?!

Jo! Jo! As nuk jam frikësuar, as nuk jam tmerruar, as nuk jam pikëlluar dhe as nuk kam vajtuar! Këto që thashë janë thjesht mendime kalimthi të një shprese të rrejshme, është një vezullim i një vetëtime në të thatë!

Ti moj qime e bardhë!
A mundesh të më falësh? Jam treguar i keq me ty duke të të qortuar dhe të ngarkuar me atë që nuk e ke! Unë iu ktheva vetes dhe kuptova se kam gabuar. Kuptova se ti je qenia më fisnike tek unë dhe më madhështroja në sytë e mi! Mirë se vjen në kokën time, le të jetë ajo lëndina dhe stani yt! Le të jetë koka ime vendi ku prehesh dhe qetësohesh. Ti je lajmëtari i vdekjes, të cilën e kërkoj që nga dita që e kam njohur, mirëpo nuk po gjej rrugë për tek ajo dhe nuk njoh lajmëtar tjetër të saj!

Përse të mban mëri dhe mbart në zemrën e tij urrejtje ndaj teje, ai që nuk ka ditur të jetojë rininë e tij e tashmë po pikëllohet se po ikën? Ai që nuk ka shijuar nga kjo jetë ëmbëlsinë e saj përse duhet të ankohet për ithtësinë e vdekjes?! Përse duhet të pikëllohet ai që nuk ka nuhatur flladin e lumturisë kur tashmë nuhat duhmën përzhitëse?!
Përse kërkon të hakmerret ndaj teje një person që e di shumë mirë se ti je frymëzimi shpresëdhënës që po e shpëton nga një jetë, ku çastet e gëzimit dhe lumturisë janë të pakta, fshihen para pikëllimeve dhe brengave, ashtu siç fshihet pasqyra nga frymëmarrjet e nxehta të pikëllimit!

A nuk është tregues për mua që të braktis mëkatet sepse vdekja po afron! A nuk është vdekja ajo që më shpëton nga pamja e frikshme e kësaj bote të tejmbushur me ligësi dhe mëkate, që i është zënë fryma nga dhimbjet dhe lëngatat, që sa herë mbyll syrin dhe e hap shoh që: miku mashtron mikun, vëllai tradhëton vëllanë, fqinji nxjerr dhëmbët për të përtypur fqinin e tij, pasaniku shtyp fukarain duke e kërcënuar me thërrmiat e bukës, skamnori i propozon kohës të flasë me gjuhën e vdekjes, por që nuk i përmbushet dëshira e tij, mbreti që nuk bën dallim mes nënshtetasve dhe kafshëve të tij, skllavi që nuk bën dot dallimin me pasurisë së mbretit dhe skallvërisë së tij…

Shoh: zemra që përvëlohen nga urrejtja për gjëra të kota, shpirtra që vriten për ngjyra që zhduken, për hije që largohen, për qëllime të kota, mendje që përvëlohen për zjarrin që do ti djegë, dhëmbë që thyhen, sy që çoroditen e që qëndrojnë mbi koka që fluturojnë, që nuk shikojnë përreth, të verbuara për të parë poshtë vetes.
Nëse ky është mëkati yt tek unë, atëherë shtoi mëkatet e tua, pasi unë të fal!

Ti moj qime e bardhë!
Mirë se ke ardhur sot dhe nesër janë të mirëpritura edhe motrat tuaja! Mirë se vjen me fatin tënd, me atë që fshihet pas teje. Mirë se vjen tek kjo dhoma, që unë strehoj mendimet e mia, gjen prehje vetja ime. Nga aty nuk dëgjoj as zhurmën e topave dhe as nuk shikoj pluhurin e ngjarjeve!
Mirë se vjen moj thinjë e vetme
Edhe pse ne të shikojmë vrëngër”.

Mustafa Lutfi Manfeluti (r.a)
Nga: Abedin Musallari