Në programin e mëngjesit në Klan Kosova, Drejtuesi i unionit të shkrimtarëve të Kosovës, Reshat Sahitaj, tha se të fitohet apo të qenit pjesë e garave për çmime botërore, siç është ai i Nobelit, është çështje e përmirësimit të imazhit të Kosovës në çdo aspekt.
Shkrimtari Sahitaj, tha se me anë të kulturës, e gjithë bota ka filluar të shkruaj për shqiptarët e Kosovës, pasi që kultura është ambasadori më i fortë i një shteti.
Duke iu referuar Rexhep Qosjes, i cili është kandidat për këtë vit për çmimin Nobel në fushën e letërsisë si dhe Adem Demaçit i cili është kandidat për çmimin Nobel për Paqe, Reshat Sahitaj tha se është arritje shumë e madhe për një vend, sepse është çmimi më prestigjioz në botë.