Rama: Fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e Partisë Socialiste

Kryeministri Edi Rama i kërkoi kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që të pranojë me dinjitet dhe sa më shpejt humbjen, që, sipas Ramës, nuk është aspak turpëruese.

“Mesazhi im i sinqertë për Lulzim Bashën është ky: pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se nuk bëre dot çfarë deshe, por bëre gjithë sa munde. Mospranimi i dinjitetshëm, në kohën e duhur, e kësaj humbjeje aspak turpëruese, thjesht e zvogëlon përmasën e rezultatit që Partia Demokratike mund të arrinte të dielën përballë një makinerie fitoreje si Partia Socialiste”, deklaroi Rama.

“Miq demokratë, ne jemi më të mirët, ju jeni më të mirët pas nesh. Ky është fakt dhe faktet pranohen, nuk luftohen. Nuk më takon mua të vendosim se si do ta lexoni ju rezultatin tuaj. Por, me apo pa Lulzim Bashën, ne e kemi shumë të qartë që opozita jonë e vetme është PD-ja dhe fitorja jonë e madhe na e bën edhe më të madh detyrimin që t’i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë Partisë Demokratike”, shtoi kryeministri.