Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se do të vazhdojnë të mbështesin të gjitha përpjekjet, përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu.
Rama po realizon një vizitë pune në Izrael, ndërkohë është takuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ku të dy homologët mbajtën një deklaratë të përbashkët.
Kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë.
“Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi”, ka deklaruar Rama.
Rama ka shtuar se Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes, themeluar nga presidenti Trump dhe shtoi se e shikon këtë ftesë jo vetëm si një njohje, por edhe përgjegjësi morale.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet, përfshirë planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajmë rolin tonë brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës”, është shprehur Rama.
“Mirëpresim rritjen e tregtisë dhe të investimeve mbështetur në ekspertizën teknologjike të Izraelit dhe sidomos marrëveshjet që po arrijmë ditë pas dite për të ndërtuar bashkërisht një prodhim të ri të mbrojtjes e sistemit ushtarak dhe falë partneritetit me Izraelin, po rikrijojmë kushtet për prodhimin ‘Made in Albania’ të sistemeve të mbrojtjes, që të shtrihet edhe jashtë vendit”, tha Rama.
Rama ka shtuar se në frymën e bashkëpunimit sipas tij në rritje do të përurojnë nesër hapjen e dhomës së tregtisë në Kuds.
Netanyahu tha se kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre dhe sipas tij një mik i madh i shtetit hebre, duke theksuar se “Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë”.
Rama po zhvillon një vizitë pune në Izrael, ndërkohë do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë dhe do të mbajë edhe një fjalim në Parlamentin e Izraelit (Knesset).

