Ramos lojtar i Sevillës

Sergio Ramos është zyrtarisht futbollist i Sevillas në La Liga. Mbrojtësi rikthehet te skuadra andaluze 18 vjet pas largimit të tij te Real i Madridit në ditën e fundit të merkatos së verës.

37-vjeçari u kthye në shtëpi pasi refuzoi ofertën shumëmilionëshe nga futbolli saudit.

“Është një ditë shumë e veçantë. Kthimi në shtëpi është një gëzim i jashtëzakonshëm. Nuk kishte kuptim të shkoje askund pa ardhur më parë këtu. Ishte një borxh ndaj gjyshit tim, ndaj babait tim, ndaj Sevillas, ndaj Puertas dhe shumë gjëra që kanë shumë kuptim. Mendoj se ishte koha. Të tjerat i lëmë për më vonë”, tha Ramos për mediat pas mbërritjes së tij.

Kontrata e nënshkruar nga Ramos është për një sezon me opsion për një tjetër. Trajnerit Mendilibar i plotësohet dëshira për të pasur një qendërmbrojtës me përvojë.

Rikthimi i Sergio Ramos ka shkaktuar një tërmet mes kritikëve dhe mbështetësve të Ramos. Tani mbetet për t’u parë nëse mbrojtësi veteran do t’ua mbyllë gojën me performacnat e tij në fushën e gjelbër.