Rëndësia e studimit të shkencave të Kuranit

Allahu i Madhëruar i ka nderuar muslimanët me më të mirin e librave të shpallur dhe me më të mirin profet të dërguar. Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk e kuptoni se Ne ua shpallëm Librin në të cilin gjendet krenaria juaj”[1]

Studimi i Kuranit – dhe dijeve që kanë lidhje me të – është një nga adhurimet më të mira, bëhet shkak që melekët të të afrohen, dhe kështu ti arrin mëshirën e Allahut, madje vetë Allahu i Madhëruar i përmend me mburrje para engjëve ata që studiojnë Kuranin. Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Sa herë që një grup mblidhet në një nga shtëpitë e Allahut, duke lexuar dhe studiuar Librin e Allahut, mbi ta zbret qetësia (shpirtërore), i përfshin mëshira, rrethohen nga melekët (engjëjt) dhe Allahu i përmend tek ata, të cilët janë tek Ai (tek engjëjt)”[2]

Lartësimi ynë në rang individi, familje dhe shoqërie varet nga marrëdhënia jonë me Kuranin fisnik. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai, i cili e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve”[3]

Të gjitha temat e përmendura në këtë libër shërbejnë për të kuptuar drejt dhe si duhet Fjalën e Allahut të Madhëruar, na nxisin të sillemi denjësisht me Kuranin në të gjitha fushat e jetës tonë, na tërheqin vëmendjen që të mos e neglizhojmë Kuranin dhe na orientojnë për tek zbatimi rigoroz i mësimeve të tij. Muslimanët do të shpëtojnë, vetëm atëherë kur t`i kthehen Kuranit, kur ta zbatojnë atë praktikisht dhe kur ta marrin si orientues dhe prijës në veprimet e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “E kush mund të jetë më i saktë në fjalë se Allahu”[4]

Autor: Rushit Musallari

[1] – Sure Enbija: 16.

[2] – Muslimi (2699), Ebu Daudi (1455), Tirmidhiu (2945) dhe Ibn Maxheh (225).

[3] – Buhariu (5027), Ebu Daudi (1452), Tirmidhiu (2908) dhe Ibn Maxheh (211).

[4] – Sure Nisa: 19.