Bitcoin ra në nivelin e tij më të ulët në më shumë se gjashtë muaj sot, ndërsa investitorët zvogëlojnë ekspozimin ndaj aseteve me risk për shkak të pasigurisë në lidhje me lëvizjen e ardhshme nga banka qendrore amerikane.
Kriptovaluta kryesore në botë ra në 86.325,81 dollarë, vlera më e ulët që nga 21 prilli. Çmimi më vonë u stabilizua në rreth 86 mijë e 690 dollarë, raporton KP.
Rënia është pjesë e një trendi më të gjerë që ka prekur tregun e kriptovalutave. XRP ra me 2.3 për qind, ndërsa eteri humbi mbi 3 për qind të vlerës dhe po tregtohet nën nivelin 3 mijë dollarë.
Mundësia që bitcoin ta mbyllë vitin nën 90 mijë dollarë është rritur në 50 për qind, sipas të dhënave nga platforma e opsioneve Derive.xyz. Nga ana tjetër, mundësia që bitcoin ta mbyllë vitin mbi 100 mijë dollarë është në 30 për qind.
Bitcoin ka qenë në rënie që nga fillimi i tetorit, kur arriti një rekord prej 126 mijë e 223 dollarësh. Ai ka humbur mbi 7 për qind të vlerës që nga fillimi i vitit.
Një nga arsyet kryesore për rënien është qëndrimi më i kujdesshëm i disa zyrtarëve të Rezervës Federale të SHBA-së, të cilët paralajmërojnë për inflacion ende shumë të lartë në SHBA dhe këshillojnë përmbajtje në uljet e mëtejshme të normave të interesit. Kjo ka ulur pritjet e tregut dhe ka ushtruar presion mbi bitcoin dhe asetet e tjera të rrezikshme, siç janë aksionet.
“Çmimi i BTC është aktualisht shumë i paqëndrueshëm dhe po ka një tendencë rënëse”, tha Sean Dawson, kreu i kërkimit në Derive.xyz.
“Faktorët e mëparshëm të rritjes, siç janë normat e ulëta të interesit, janë shteruar, duke ndaluar vrullin në rritje të çmimeve. Me fjalë të tjera, ka shumë pak për të ushqyer optimizmin në horizont.”








