Rikthimi në duopol, si po rregullohet tregu celular

Ndërsa statistikat për vitin 2023 nuk janë ende të disponueshme, të dhënat e AKEP treguan se për vitin 2022, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit me rreth 4.2% krahasuar me një vit më parë.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi pas më shumë se pesë vjetësh analizën e re të tregjeve me shumicë të telefonisë celulare, të shoqëruara me rishpalljen e dy operatorëve të mbetur si Operatorë me Fuqi të Ndjeshme në Treg dhe me vendosjen e masave rregullatore ndaj tyre.

Vendimet e reja të AKEP sjellin disa risi, mes të cilave heqja e masës së mosdiskriminimit në tarifa mes thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit. Një masë e tillë u vendos në vitin 2014 dhe i dha fund të ashtuquajturit efekt club.

Kjo ishte një praktikë antikonkurruese e operatorëve më të mëdhenj, që duke shfrytëzuar bazën më të gjerë të abonentëve, tentonin ta mbyllnin trafikun brenda rrjeteve të tyre, duke ofruar tarifa shumë më të ulëta për thirrjet brenda rrjetit krahasuar me tarifat e thirrjeve jashtë rrjetit.

Një praktikë e tillë synonte të pengonte rritjen e operatorëve me pjesë më të vogël tregu.

Vendosja e detyrimit për të aplikuar tarifa të njëjta brenda dhe jashtë rrjetit i dha fund asaj praktike, megjithëse një dëm i madh deri në atë kohë ishte bërë për dy operatorët më të vegjël.

Gjithashtu, kjo masë lehtësoi zgjedhjet konsumatore dhe bëri që shumë përdorues të hiqnin dorë nga mbajtja e dy numrave celularë, për të shmangur tarifat diskriminuese në thirrjet jashtë rrjeteve.

Pas afërsisht një dekade, AKEP vlerëson se nevoja për një masë të tillë është ezauruar. Megjithatë, si Autoriteti i Konkurrencës, ashtu edhe vetë dy operatorët celularë, nuk janë aspak dakord me shfuqizimin e kësaj mase rregullatore.

“Me dy operatorë, nuk ka më stimuj për mbyllje komunikimi”

Operatorët celularë tashmë do të jenë përsëri të lirë të aplikojnë tarifa preferenciale të thirrjeve apo mesazheve brenda rrjeteve të tyre.

Në dokumentin përfundimtar të analizës së tregut të telefonisë celulare, për tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet e telefonisë së lëvizshme, AKEP ka gjykuar se kjo masë e ka dhënë efektin e saj, në përputhje me qëllimin e vendosur.

Sipas AKEP, që nga periudha kur është vendosur kjo masë rregullatore, situata e operatorëve të këtij tregu ka ndryshuar ndjeshëm, ku nga katër operatorë celularë, sot në treg janë vetëm dy, me pjesë tregu të përafërta në lidhje me numrin e pajtimtarëve.

AKEP argumenton se me strukturën e re të tregut me dy operatorë celularë, nuk ekzistojnë më stimujt e nevojshëm për aplikim të tarifave grabitqare për krijimin e grupeve të mbyllura.

Një faktor tjetër i rëndësishëm, sipas AKEP, është ulja e volumit të thirrjeve zanore, ndikuar nga rritja gjithnjë e më e madhe nëpërmjet aplikacioneve OTT, si për shembull Whatsapp, të cilat kanë zëvendësuar në një masë të madhe thirrjet dhe mesazhet direkte nëpërmjet shërbimit të operatorëve celularë, duke shfrytëzuar nga këta të fundit vetëm shërbimin e të dhënave (internetin).

AKEP vlerëson se struktura e thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit është e balancuar për një periudhë relativisht të gjatë. Pesha e thirrjeve brenda rrjetit ka rënë nga 93% të totalit në vitin 2013, në 56% në vitin 2022.

Por, vendimi i AKEP për heqjen e detyrimit të mosdiskriminimit të tarifave mes thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit u kundërshtua në fazën e konsultimit publik nga Autoriteti i Konkurrencës.

Në vendimin me qëndrimet e tij lidhur me analizën e tregut celular, Autoriteti i Konkurrencës u shpreh, në kushtet kur AKEP ende nuk ka realizuar një analizë të tregut të pakicës të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme për rregullimin e këtij tregu, masa e mosdiskriminimit mes tarifave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit duhet të jetë ende në fuqi.

Madje, kundër vendimit të AKEP janë shprehur edhe të dy operatorët celularë.

Në komentet dërguar AKEP lidhur me analizën e tregut, Vodafone Albania është shprehur se tërheqja e kësaj mase rregullatore do t’u linte shteg operatorëve që të përfitojnë në periudha të caktuara dhe të rihapin një luftë çmimesh me njëri-tjetrin, si dhe do të krijonte mundësinë që operatorët të aplikojnë tarifa preferenciale brenda rrjetit, që do të sjellin automatikisht humbje të të ardhurave, veçanërisht në kohë “lufte çmimesh”.

Gjithashtu, sipas Vodafone Albania, nga pikëpamja e eksperiencës konsumatore, kjo do të krijojë konfuzion për klientin, për të kuptuar e për të kombinuar produktet, kur në treg ka aktualisht një gamë të gjerë produktesh e shërbimesh.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe operatori tjetër, One Albania, që gjykon se kjo masë nuk duhet të hiqet, pasi në çdo rast ruan konkurrencën e lirë dhe të ndershme në treg dhe shmang stimujt për praktika antikonkurruese nga operatorët, duke kufizuar zgjedhjen e biznesit dhe duke lejuar potencialisht një lojtar të madh të dëmtojë konkurrencën.

One Albania çmon se heqja e detyrimit të mosdiskriminimit on-net/off-net, shoqëruar edhe me reduktimin e tarifave të terminimit, ekspozon vetëm shoqërinë One Albania ndaj zhvillimeve jopozitive të tregut celular.

Pavarësisht kundërshtimit nga të gjitha palët e shprehura në konsultim publik, AKEP e ka miratuar propozimin e vet për heqjen e këtij detyrimi.

Në përgjigjen dhënë operatorëve dhe Autoritetit të Konkurrencës, AKEP, mes të tjerash, shprehet se, në rolin e rregullatorit ka në konsideratë jo vetëm mbarëvajtjen dhe shëndetin financiar të dy rrjeteve celulare, të cilat duhet të rezultojnë në nxitje të investimeve dhe rritjes së cilësisë së shërbimit, por edhe konsumatorin fundor, me qëllim rritjen e mundësive për përfitimin e produkteve dhe shërbimeve përkatëse, me një ofertë të arsyeshme dhe racionale nga ofertuesit, të krahasueshme dhe me vendet e rajonit dhe më gjerë mbi cilësinë, përmbajtjen e paketave dhe çmimin final të tyre.

“…arsyet bazë lidhen me faktin se, tashmë, situata në të cilën ndodhet tregu i telefonisë celulare ka ndryshuar, duke pasur vetëm dy operatorë celularë, kjo edhe në mungesë të MVNO-ve (operatorëve të rrjeteve virtuale) në këtë treg, me bazë pothuajse të njëjtë të pajtimtarëve, në kushtet e një niveli të ulët të tarifave të terminimit afër kostos eficiente të shërbimit të terminimit dhe në simetri të plotë të tyre.

AKEP e ndërmori masën e mosdiskriminimit on-net/off-net në vitin 2014, në një treg me katër operatorë celularë dhe në kushtet e tarifave të larta të terminimit të thirrjeve, ku thirrjet drejt rrjeteve të tjera celulare, bashkë me efektin ‘club’ penalizonin operatorët më të vegjël, kundrejt operatorëve që kishin pjesë më të madhe tregu.

Ky ka qenë dhe faktori kryesor që AKEP përcaktoi këtë masë rregullatore. Në kushtet kur ulja e volumit të thirrjeve zanore është reduktuar ndjeshëm në favor të rritjes së thirrjeve nëpërmjet shërbimeve OTT dhe kur pjesët e tregut të dy operatorëve mobile Vodafone Albania dhe One Albania janë të ngjashme, me një strukturë të balancuar të pajtimtarëve dhe të thirrjeve, AKEP vlerëson se aplikimi i kësaj mase rregullatore nuk është më i nevojshëm”, – thuhet në argumentimin përfundimtar të AKEP.

Ulen tarifat me shumicë

Me masat e reja rregullatore, AKEP ka vendosur uljen e tarifave të terminimit në rrjetet celulare, duke filluar nga muaji tetor 2024.

Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet që kryhen drejt rrjeteve përkatëse dhe rregullimi i këtyre tarifave është instrumenti kryesor i rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike nga autoritetet përkatëse.

Mbështetur në analizën e tregut, AKEP ka shpallur përsëri si Operatorë me Fuqi të Ndjeshme (OFNT) në tregun përkatës me shumicë të terminimit të thirrjeve kombëtare operatorët celularë One Albania dhe Vodafone Albania.

AKEP ka vendosur që tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare të Vodafone Albania dhe One Albania të ulet nga niveli aktual prej 1.1 lekë/minutë në 1.02 lekë/minutë në 1 tetor 2024, në 0.89 lekë/minutë në 1 prill 2025 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në 1 tetor 2025.

Megjithatë, afatet e aplikimit të uljeve të përshkallëzuara të tarifave të terminimit janë shtyrë krahasuar me propozimet që ishin paraqitur në analizën e tregut, në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas propozimeve fillestare, uljet e tarifave duhet të zbatoheshin përkatësisht në 1 mars 2024, 1 shtator 2024 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë, në 1 mars 2025.

Në komentet e tyre gjatë fazës së konsultimit publik, të dy operatorët, Vodafone Albania dhe One Albania kishin kërkuar një shtrirje më të gjatë në kohë të uljes në kosto të tarifave të terminimit.

Vodafone Albania kishte propozuar që ulja e tarifave të niste në prill 2024 dhe të arrinte gradualisht nivelin prej 0.75 lekësh për minutë në prill 2027.

Ndërsa One Albania propozonte që ulja të fillonte në janar 2025 dhe të shtrihej në kohë deri në janar 2027.

AKEP i ka marrë pjesërisht në konsideratë këto kërkesa dhe përfundimisht e ka shtyrë fillimin e procesit në tetor të këtij viti dhe mbylljen e tij, në tetor të vitit të ardhshëm.

Tarifat e reja të terminimit janë përcaktuar mbështetur në dokumentin për rezultatet e modelit të kostove të shërbimeve me shumicë të rrjeteve celulare, që u miratua nga AKEP në vitin 2021.

Dokumenti në fjalë përcakton tarifa terminimi të thirrjeve që të reflektojnë kostot direkte, të matura për operatorët e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri.

Sipas analizës së kostove të përgatitura nga konsulentët e kontraktuar nga AKEP për këtë qëllim, kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare, 0.762 lekë për minutë.

Tarifat aktuale të terminimit në Shqipëri janë aktualisht rreth 1.11 lekë/minutë për të dyja llojet thirrjeve.

Për t’i çuar tarifat në kosto, që është edhe objektivi i AKEP, tarifat e terminimit të thirrjeve duhet të ulen me rreth 32%.

Orientimi në kosto i tarifave me shumicë vlerësohet si mënyra më e mirë për të mundësuar një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme mes operatorëve në tregun me pakicë.

Më parë, për vendosjen e tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike).

Megjithëse dokumenti me kostot e matura u miratua që në vitin 2021, ulja e përshkallëzuar e tarifave në kosto ngeli pezull për afërsisht tre vjet, në pritje të analizës së re të tregut për të shpallur edhe njëherë OFNT.

Bazuar në të dhënat e grumbulluara nga AKEP mbi tarifat e termimit të thirrjeve celulare në vendet e rajonit në vitin 2023, tarifa në Maqedoninë e Veriut është 1.06 eurocent/minutë, në Serbi 0.95 eurocent/minutë, në Mal të Zi 0.52 eurocent/minutë dhe në Kosovë, 846 eurocent/minutë, ndërkohë tarifa e Shqipërisë, me kursin mesatar të këmbimit për vitin 2022 llogaritej në vlerën 0.9334 eurocent/minutë.

Burimi: AKEP

Tarifat e terminimit ndërkombëtar ngelen të parregulluara

Një nga dilemat kryesore të analizës së tregut, edhe këtë herë, ishte rregullimi i tregut të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare hyrëse ose tarifat me shumicë që operatorët shqiptarë ju vendosin operatorëve të huaj për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve celulare shqiptare. Në fazën e konsultimit publik, AKEP pati qëndruar asnjanës, duke shtruar vetëm avantazhet dhe disavantazhet e rregullimit të tarifave të terminimit ndërkombëtar.

Në vendimmarrjen përfundimtare, megjithatë, AKEP vendosi ta lërë të parregulluar këtë treg, deri në analizën e ardhshme të tregut.

“AKEP në këtë fazë, duke konsideruar faktorët pro dhe kundër të referuar në dokumentin e analizës për shërbimin e terminimit të thirrjeve mobile, karakteristikat dhe rrethanat kombëtare, qasjen e Komisionit Europian për mosrregullimin e thirrjeve ndërkombëtare nga dhe drejt vendeve të treta (jashtë BE-së), vlerëson lënien në derregullim të tregut të terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare siç është aktualisht, deri në fazën e ardhshme të analizës së tregut ku do të analizohet edhe mundësia për të orientuar tarifat drejt një eurotarife të njëjtë për shërbimin e terminimit të thirrjeve zanore në Shqipëri, njësoj si tarifa e unifikuar e BE-së në tregjet e terminimit”, – argumenton AKEP në vendimin përfundimtar.

Prej afërsisht një dekade, AKEP e ka hequr këtë treg nga rregullimi dhe përcaktimi i tarifave bëhet në marrëveshje mes operatorëve të përfshirë.

Përkohësisht, në tetor 2018, Këshilli Drejtues i AKEP e vendosi sërish tregun në fjalë nën rregullim. Të tre sipërmarrësit Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom u shpallën OFNT në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe u vendosën masat përkatëse rregullatore për detyrimin e mosdiskriminimit dhe detyrimin e transparencës.

Por, një muaj më vonë, në nëntor 2018, vendosi shfuqizimin e vendimit të marrë dhe heqjen e këtij tregu nga rregullimi.

Në konsultimin publik, të dy operatorët celularë u shprehën prerazi kundër rregullimit të tarifave për terminimin e thirrjeve ndërkombëtare. Në argumentimin e vet, Vodafone Albania shprehet se vendosja në rregullim e këtij tregu do të sillte më pak të ardhura për operatorët dhe më pak të ardhura për buxhetin e shtetit.

Sipas Vodafone, aktualisht tarifat e terminimit për thirrjet ndërkombëtare janë afërsisht 40 herë më të larta krahasuar me rezultatet e modelit të kostove të shërbimeve me shumicë të rrjeteve celulare, që u miratua nga AKEP në vitin 2021 (kosto për terminimim ndërkombëtar rezultoi rreth 0.762 lek/minutë).

Vodafone argumenton se edhe qasja e vetë BE-së në këtë çështje është trajtimi i diferencuar i tarifave të terminimit me vendet jashtë BE-së.

Sipas Vodafone, kjo gjithashtu do të shkaktonte disbalancë në të ardhura midis operatorëve vendas dhe atyre të huaj me një ulje të të ardhurave të terminimit ndërkombëtar për operatorët që operojnë brenda Republikës së Shqipërisë, si dhe do të ulte të ardhurat e operatorëve shqiptarë e për rrjedhojë fuqinë e tyre investuese në vend.

Edhe One Albania shprehet kategorikisht kundër çdo opsioni të rregullimit të tarifës së terminimit ndërkombëtar, me argumentin se kjo redukton, në mënyrë domethënëse, të ardhurat e operatorëve celularë, përkeqëson rezultatin financiar negativ të tyre, redukton indirekt të ardhurat e AKEP, ul stimujt për investime në shërbime të reja dhe teknologjinë 5G, dobëson fuqinë negociuese të operatorëve celularë shqiptarë kundrejt partnerëve ndërkombëtarë, nuk ka ndikim për përdoruesin fundor dhe krijon fitim të tepërt për operatorët e huaj.

Sipas të dhënave nga AKEP, për vitin 2022, të ardhurat nga terminimi ndërkombëtar përbënin 10% të të ardhurave totale të operatorëve celularë. Pesha e të ardhurave nga terminimi ndërkombëtar ka ardhur në rënie në pesë vitet e fundit, duke reflektuar rënien e volumit të thirrjeve ndërkombëtare hyrëse, për shkak të zëvendësimit të tyre nga aplikacionet OTT.

Megjithatë, të dhënat e AKEP tregojnë se pesha e të ardhurave nga thirrjet ndërkombëtare ka peshë të ndryshme për operatorë të ndryshëm.

Për vitin 2022, të ardhurat nga terminimi ndërkombëtar përbënin 12% të totalit për Vodafone Albania, 9% për Albtelecom dhe 7% për One Albania.

 

Burimi: AKEP

Terminimi ndërkombëtar, Autoriteti i Konkurrencës gjeti fajtor Vodafone për abuzim me pozitën dominuese

Lidhur me këtë çështje, AKEP nuk i ka pranuar rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës që, mes të tjerash, kërkonte shmangien e subvencionimit nga të ardhurat e realizuara në tregun e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare nga Operatorët me Fuqi të Ndjeshme në tregun e shitjes me pakicë, duke aplikuar tarifa nën kosto.

Autoriteti i Konkurrencës argumenton se tregu i terminimit ndërkombëtar duhet rregulluar, për të mos lejuar shtrembërimin e konkurrencës në tregjet e tjerë, përfshi tregun me pakicë të shërbimeve celulare.

Në përfundim të një hetimi që u mbyll në fund të vitit 2022, Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar abuzimin me pozitën dominuese të Vodafone Albania në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.

Neni 74 i ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës parashikon se abuzimi me pozitën dominuese klasifikohet si shkelje e rëndë dhe ndëshkohet me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore. Por, Vodafone Albania nuk është ndëshkuar sipas ligjit, por në vendim thjesht i janë kujtuar ato detyrime që ekzistojnë në ligj për të gjitha ndërmarrjet me pozitë dominuese.

Sipas vendimit, Vodafone nuk u ndëshkua, sepse shkelja e saj ligjore ishte parashkruar. Provat për abuzimin me pozitën dominuese të Vodafone ekzistojnë deri në vitin 2015, ndërkohë që afati i parashkrimit të ndëshkimeve administrative, sipas Komisionit të Konkurrencës, është pesë vjet.

Nga analiza e provave të siguruara prej hetimit të thelluar dhe në dritën e praktikës së Komisionit Europian, Komisioni i Konkurrencës argumentoi se nuk krijoi dot bindjen e plotë se abuzimi me pozitën dominuese nga Vodafone Albania ka vijuar edhe përtej vitit 2015.

Sipas argumentimit të vendimit, duke pasur parasysh se masa e sanksionit administrativ krahasohet me sanksionet në çështjet penale, atëherë dhe në këtë vendimmarrje të Autoritetit të Konkurrencës gjen vend zbatimi i parimit “in dubio, pro reo” (kur ka dyshime, vendoset në favor të palës së pandehur). Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës, megjithëse konstaton se sjellja e Vodafone Albania, përbënte abuzim me pozitën dominuese, institucioni gjendej në pamundësi ligjore për ta sanksionuar këtë shkelje të ligjit me gjobë.

Në vendimin e dhjetorit 2022, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur detyrimin e ndërmarrjes Vodafone Albania të mos përdorë në asnjë rast elementet e mëposhtme: vendosjen, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit; kufizimin e prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik; zbatimin e kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre, ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

Në fakt, sjelljet e mësipërme klasifikohen në nenin 9 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, si abuzim me pozitë dominuese, ndaj vendosja e këtyre detyrimeve me vendime të posaçme në fakt shërben vetëm si kujtesë e detyrimeve ligjore.

Referuar analizës së konkurrencës në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare, sipas Komisionit të Konkurrencës, ka rezultuar se Vodafone ka zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence. Kjo sjellje, sipas ligjit, përbën abuzim me pozitën dominuese.

Konflikti mes Neofone dhe Vodafone Albania e pati zanafillën në vitin 2015, kur Vodafone rriti tarifën për terminimin e thirrjeve ndërkombëtare të tranzituara nga operatori Neofone nga 6.2

lekë për minutë në vlerën 29.8 lekë për minutë. Pasi Neofone kundërshtoi tarifën e re, Vodafone ndërpreu aksesin në shërbimin që i ofronte.

Prej atëherë, Neofone ka nisur një betejë ligjore që ka përfshirë edhe ankesa në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe padi në Gjykatën Administrative. Objekti kryesor i ankesave ka qenë detyrimi i AKEP për të ndërhyrë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për të detyruar Vodafone të negocionte një tarifë më të arsyeshme.

Por, në të gjitha rastet, AKEP i ka refuzuar ankesat e Neofone, duke argumentuar se Vodafone Albania nuk ka statusin e Operatorit me Fuqi të Ndjeshme në Treg (OFNT) për terminimin e thirrjeve hyrëse ndërkombëtare dhe AKEP nuk mund ta detyrojë të lidhë marrëveshje aksesi/interkoneksioni me një operator tranzitues për terminimin e këtyre thirrjeve dhe as të rregullojë tarifën e shërbimit, përfshirë në procedura zgjidhje mosmarrëveshjeje.

Autoriteti i Konkurrencës i dha të drejtë Neofone, por nuk e ka ndëshkuar Vodafone me argumentimin se shkelja është parashkruar, pavarësisht se Neofone prej shtatë vitesh ka ndjekur një betejë të vazhdueshme ligjore.

Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për komunikimin celular u rrit me 4.2% vitin e kaluar

Ndërsa statistikat për vitin 2023 nuk janë ende të disponueshme, të dhënat e AKEP treguan se për vitin 2022, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit me rreth 4.2% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2022, çdo përdorues shpenzoi mesatarisht rreth 6800 lekë për shërbime të komunikimeve celulare. Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celulare (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë.

AKEP vlerëson se, duke marrë në konsideratë se gjithnjë e më shumë ofrimi i shërbimeve mobile po ofrohet në paketa me përmbajte të kombinuar (minuta, sms dhe internet), ARPU është tregues më domethënës në vlerësimin e të ardhurave nga përdoruesit.

Sipas shifrave krahasuese të AKEP, ARPU në vitin 2022 në Shqipëri ishte rreth 57.18 euro/vit, ndërsa ARPU mesatare vjetore e Bashkimit Europian rreth 173 euro/vit, ose, rreth tre herë më e lartë në Shqipëri.

Megjithatë, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për thirrje celulare vitin e kaluar arriti në 3.75 lekë për minutë, në rritje me 23% krahasuar me një vit më parë. Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.

Nga raportimet e kryera gjatë vitit 2022, ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike celulare raportuan rritje të të ardhurave me rreth 4% krahasuar me vitin 2021.

Në rritjen e të ardhurave totale të tregut peshën kryesore e ka pasur rritja e të ardhurave të gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve me pakicë, të cilët u rritën me rreth 10% krahasuar me periudhën pararendëse, ndërsa të ardhurat me shumicë kanë pësuar rënie me rreth 11% krahasuar me vitin 2021.

AKEP vlerëson se vitin e kaluar, tregu i shërbimeve celulare kishte një volum total prej 25.4 miliardë lekësh, ose rreth 223 milionë euro.

Për sa u përket treguesve të rezultatit financiar neto vjetor, për vitin 2022 të tre sipërmarrësit kanë raportuar rezultat financiar negativ, përkatësisht Vodafone Albania me rreth 258 milionë lekë humbje, One Telecommunications ka raportuar humbje në vlerën 559 milionë lekëve, ndërsa Albtelecom, për vitin 2022, ka raportuar rezultat financiar negativ me rreth 12 miliardë lekë.

Sipas AKEP, rezultatet negative ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme mundësinë e operatorëve për të rritur investimet dhe për të përmirësuar teknologjitë në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për konsumatorët fundorë.

Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka filluar që të ndikojë në shtrenjtimin e paketave të komunikimit.

Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit me parapagesë, me 100-200 lekë në dy vitet e fundit, por ndërkohë kanë ulur njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë./monitor