Roma nuk lejon befasi, avancon tutje

Fitorja 4:0 në ndeshjen e parë në Itali, i ka mjaftuar Romës për të avancuar në çerekfinale të Ligës së Evropës. Roma të enjten mbrëma u mposht në udhëtim te Brightoni 1:0, por ka kaluar tutje me rezultatin e përgjithshëm 4:1.

Danny Welbeck e shënoi golin e vetëm për skuadrën angleze në minutën e 37-të.

Tutje ka kaluar edhe skuadra tjetër italiane, Atalanta. Atalanta fitoi 2:1 në shtëpi me rikthim të rezultatit ndaj Sportingut portugez që me Pedro Gonçalvesin në minutën e 33-të kaloi në epërsi 1:0. Ademola Lookman në minutën e 46-të dhe Gianluca Scamacca në minutën e 59-të, i shënuan golat e fitores. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ishte mbyllur 1:1. Berat Gjimshiti e kompletoi ndeshjen tek Atalanta, që kundërshtarin tjetër në këtë garë e mëson të premten.