Rrahmani dhe Kumbulla ndalin Milanin

Veronë heroike përballë Milanit “San Siro”, ku edhe një herë tjetër Amir Rrahmani dhe Marash Kumbullua, dy mbrojtësit shqiptarë të verdhebluve, treguan që jo më kot kanë qenë ndër emrat më të kërkuar në merkaton e janarit (Rrahmani ka firmosur me Napolin). Falë kontributit të tyre Verona ia doli të merrte një pikë ndaj “Djallit”, duke barazuar 1-1, edhe pse nga minuta e 68-të miqtë luajtën me një lojtar më pak, pas ndëshkimit të Amrabat (me ndihmën e VAR-it) me karton të kuq. Kjo ndeshje tregoi qartë se sa vlerë ka prania në fushë për Milanin e Zlatan Ibrahimovicit, që mungonte në këtë ndeshje, shkruan supersport.

Faraoni befasoi të pranishmit në “San Siro” në minutën e 13-të, pas krosimit të shkurtër të Zaccagnit, por të në 29-ën barazoi Calhanoglu me një goditje të lirë, i ndihmuar edhe nga devijimi i një futbollisti kundërshtar.

Pjesa e dytë, edhe pse nuk dhuroi gola, ishte shumë emocionuese. Verona rezultoi e pafat teksa brenda dy minutave lojë (52’ dhe 54’) goditi dy herë shtyllën me Lazovic dhe Verren, ndërsa në minutën e dytë shtesë fati i ktheu shpinën Castillejos, me topin që sërish u kthye nga shtylla. Dy pikë të lëna nga Milani, që ndërpreu serinë e fitoreve radhazi (3), ndërsa Verona u shfaq një skuadër me autoritet, edhe pse luante në një transfertë shumë të vështirë.

Vazhdon të realizojë me ritëm të shfrenuar Ciro Immobile, që ndaj Sassuolos, në “Olimpico”, la shenjë me një dygolësh në suksesin 5-1 të bardhekaltërve.

25 gola në 22 ndeshje në total në Serinë A për sulmuesin e Lazios, që duket i pakonkurrueshëm në garën për “Këpucën e Artë” jo vetëm në Itali. Golat e tjera për ekipin e drejtuar nga Inzaghi u shënuan nga Caicedo (2) dhe Adekanye, ndërsa finalizimi i nderit për SPAL-in mban firmën e Missirolit. Një derbi portierësh kuqezi i fituar thellë nga “gardiani” i Lazios, me Berishën që u shndërrua në tabelë qitjeje nga vendësit.

Genoa befason Atalantën në Bergamo, ku arrin t’i rrëmbejë një pikë me rezultatin 2-2. Të katër golat e këtij takimi u shënuan brenda 35 minutave lojë.

Toloi i zhbllokoi sfidën në favor të bergamaskëve në minutën e 13-të, por Genoa ktheu rezultatin me finalizimet e Criscitos (11-m) dhe Sanabrias. Gjithsesi, 15 minuta para fundit të pjesës së parë barazoi Ilicic, me rezultatin që nuk ndryshoi më.