Rusia pezullon marrëveshjen e eksportit të grurit me Ukrainën

Sulmet ndaj anijeve në Krime gjatë natës kanë bërë që Rusia ta pezullojë marrëveshjen për eksportin e grurit, ka thënë ministria e Mbrojtjes e Moskës, raporton SkyNews.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia u nënshkrua në korrik dhe lejonte që dërgesat e grurit ukrainas të eksportoheshin nga portet e bllokuara.

“Duke marrë parasysh aktin terrorist nga regjimi i Kievit me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë kundër anijeve të Flotës së Detit të Zi dhe anijeve civile të përfshira në sigurimin e ‘korridorit të grurit’, pala ruse pezullon pjesëmarrjen në zbatimin e marrëveshjeve për eksportin e produkteve bujqësore nga portet e Ukrainës”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë.

Më herët, Rusia pati thënë se sulmet ishin neutralizuar, megjithëse një anije mori dëme të vogla.

Një zëdhënës i OKB-së ka thënë se janë në kontakt me autoritetet ruse dhe se të gjitha palët duhet të përmbahen dhe të mos bëjnë asgjë për të rrezikuar marrëveshjen. /koha