Serbët në veri votojnë për liderët në Serbi

Zgjedhjet për kryetar të Serbisë kanë filluar edhe në veri të Mitrovicës, përkatësisht në shkollën e mesme teknike “Mihajllo Petroviq-Allas”, e cila është hapur sot në ora 7:00.

Deri tani po vërehet numër i vogël i qytetarëve të cilët kanë dalur për të votuar.

Nga gjithsej 90 vendvotime, sa do të jenë në Kosovë, 30 prej tyre janë në komunat veriore të vendit, përkatësisht 11 në veri të Mitrovicës, shtatë në Zveçan, shtatë në Zubin Potok dhe pesë vendvotime në Leposaviq.

Mësohet se edhe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë hapur qendrat e votimit me kohë.

Numri i atyre që kanë të drejtë vote në veri të Mitrovicës është rreth 15.137 persona.

Zgjedhjet mbahen me leje të Qeverisë së Kosovës dhe do të monitorohen nga OSBE-ja.

OSBE-ja ka bërë të ditur se në Kosovë do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave, duke hapur katër qendra grumbullimi dhe degë përkatëse nëpër Kosovë me prani të stafit të OSBE-së.