Shaqiri: Isha i Liverpool-it që në 2014, më pengoi Bayern

Xherdan Shaqiri është lojtari më i ri i Liverpool dhe mezi pret të debutojë me fanellën e “The Reds”. Për momentin futbollisti me origjinë shqiptare ndodhet në SHBA teksa po kryen fazën përgatitore me klubin anglez.

Gjatë një interviste për televizionin e klubit “LFCTV”, mesfushori i kombëtares zvicerane pranon se ai mund të kishte shkuar në “Anfield Road” që në vitin 2014, por klubi i Bayern Munchen e pengoi atë.

“Fola me Brendan Rodgers përpara Kupës së Botës 2014. Ai më telefonoi dhe më tha se ishte i interesuar. Por Bayern tha: ‘Të duam këtu, je i rëndësishëm për ne’”, u shpreh Shaqiri.

Megjithatë, 26-vjeçari do të ketë mundësi të luajë për Klopp-in dhe ai nuk i trembet aspak kësaj sfide:

“Kam luajtur për shumë klube të mëdha. Kam fituar shumë tituj me Bayern, kështu që e di se çfarë do të thotë të luash në një skenë të madhe”.

Dita e debutimit të tij pritet të jetë e shtuna, kur “Reds”-at të përballen me United në “International Champions Cup”./Ora News