Autoritetet amerikane po shqyrtojnë ndalimin e shitjes së ruterëve të kompanisë TP-Link, pasi agjencitë e sigurisë kanë paralajmëruar se këto pajisje mund të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.
Sipas informacioneve të Washington Post, Departamenti i Tregtisë i SHBA-së ka propozuar ndalimin pas një vlerësimi në të cilin kanë marrë pjesë agjenci si Departamenti i Sigurisë së Brendshme dhe Departamenti i Luftës.
Edhe pse TP-Link ka selinë në Kaliforni, zyrtarët amerikanë pretendojnë se kompania ende ka lidhje operative me entitete kineze, gjë që mund të hapë mundësi për ndikim të huaj të mundshëm. Zyrtarët kanë vlerësuar se “nuk ekzistojnë masa për zbutjen e rrezikut” që do të garantonin sigurinë, prandaj ndalimi është cilësuar si zgjidhja e vetme afatgjatë.
Nga TP-Link deklarojnë se akuzat janë të pabazuara. Kompania pretendon se është plotësisht e pavarur nga ish-kompania mëmë kineze dhe se nuk ka asnjë provë që produktet e saj janë nën ndikimin e qeverisë kineze.
Thuhet gjithashtu se procesi i ndarjes nga pjesa kineze e kompanisë është përfunduar në vitin 2023, dhe se prodhimi kryesisht zhvillohet në Vietnam. Përveç çështjeve të sigurisë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë po zhvillon gjithashtu një hetim antimonopol ndaj TP-Link-ut.
Sipas Reuters, kompania është nën hetim për dyshime se ka përdorur subvencione për t’i shitur produktet nën çmimin e tregut, duke rrezikuar kështu konkurrencën.
Nëse Departamenti i Tregtisë publikon njoftimin zyrtar, TP-Link do të ketë afat 30-ditor për t’u përgjigjur përpara se ndalimi të hyjë në fuqi. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se procesi mund të shtyhet për shkak të negociatave aktuale tregtare midis SHBA-së dhe Kinës.








