Shkolla “Kosova” hap dyert në Tiranë

Shkolla “Kosova” në Tiranë nga sot ka hapur dyert për nxënësit, nga një institucion i djegur, i kthyer më vonë në një parkim privat, shkolla 9 vjeçare “Kosova” e rindërtuar do të presë nxënësit në 17 shtator, në ditën e parë të mësimit.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili përmes një publikimi të bërë në rrjetin social Facebook, ka publikuar edhe një video me pamje nga kjo shkollë.

“Mirëmëngjesi, dhe pas një lufte afro pesëmbëdhjetë vjeçare, me ata që e morën padrejtësisht si pronë, me ata që e dogjën, pabesisht si godinë, me ata që përmes gjykatësish të korruptuar donin ta kthenin këndin e saj historik në pallat, kam kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve një vit të gëzuar e të suksesshëm shkollor, me “Kosovën” e rilindur, shkollën simbol të historisë së Tiranës që sot u hap fëmijëve dyert e të ardhmes, si mishërimi i ambicies sonë për Tiranën që duam, për Shqipërinë që duam”, shkruan Rama.