Republika e Shqipërisë po përgatit rishikimin strategjik të mbrojtjes, ka bërë të ditur sot ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në një konferencë për media, transmeton Anadolu.
Ministri Vengu tha se pikëpyetja nëse aleancat, industria dhe kapacitetet shtetërore, do të jenë të mjaftueshme për ta vendosur Shqipërinë në një pozitë më të fortë, nxit nevojën për mbrojtje civile, mbrojtje kibernetike, veprimtari prodhuese, infrastrukturë kritike dhe komunikim strategjik, si pjesë e sigurisë kombëtare.
Ai theksoi se buxheti i vitit 2026 për mbrojtjen përfaqëson një mekanizëm kyç për ndërtimin e kapaciteteve reale, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, forcimin e sovranitetit digjital dhe garantimin e një Shqipërie të qëndrueshme si aleate e NATO-s.
Sipas tij, buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 arrin në 2.12 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 12 për qind krahasuar me vitin 2025, duke reflektuar qartë angazhimin e qeverisë për sigurinë kombëtare në një kontekst të ndërlikuar gjeopolitik.
“Buxheti i 2026-ës është mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale, për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin digjital dhe për të garantuar një Shqipëri ai aleate e qëndrueshme në NATO”, tha ai.
Ministri theksoi se shtylla kryesore e kësaj përpjekjeje buxhetore është kapitali njerëzor dhe rritja e pagave për personelin e Forcave të Armatosura mbetet një nga prioritetet kryesore të buxhetit 2026.
Sipas tij, politika afatgjatë e rritjes së pagave do të vijojë me synimin që deri në vitin 2029, pagat e ushtarakëve shqiptarë të arrijnë mesataren e vendeve të NATO-s.
Ministri Vengu bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar janë rekrutuar 721 ushtarakë të rinj, që sipas tij është një tregues se Forcat e Armatosura po shihen gjithnjë e më shumë si një opsion dinjitoz dhe premtues për të rinjtë shqiptarë.
Ai tha se një tjetër fokus i rëndësishëm i investimeve mbetet arsimimi ushtarak dhe infrastruktura akademike.
Tutje, Vengu vuri theksin edhe te sfidat e reja të sigurisë, duke theksuar se sot kërcënimet nuk vijnë vetëm me mjete ushtarake, por edhe përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjeve hibride.
“Armiku modern vjen me algoritme dhe helm informativ”, tha ai duke shtuar se mbrojtja civile, kibernetike, infrastruktura kritike dhe komunikimi strategjik janë tashmë pjesë integrale e sigurisë kombëtare.
Në fushën e koordinimit institucional, Vengu njoftoi se në planin afatmesëm të Forcave të Armatosura parashikohet ndërtimi i dy anijeve luftarake dhe një anijeje me përdorim civil-ushtarak dhe logjistik në det.
Buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 në Shqipëri do të jetë rreth 610 milionë euro.

