Shqipëria rrezikon pas incidenteve, pritet dënimi i FIFA-s

Pas incidenteve në ndeshjen me Poloninë, Shqipëria do të përballet me masa të ashpra disiplinore nga FIFA.

Kjo është e pashmangshme, sepse si vend përsëritës i hedhjes së sendeve në fushën e lojës, do të ndëshkohemi me gjobë të majme dhe mbyllje të stadiumit.

Ndërprerja e ndeshjes për më tepër se 20 minuta, menjëherë pas golit të polakëve në të 77-n, e rëndon edhe më tepër pozicionin e Kombëtares. Shishet e hedhura ishin një reagim ndaj provokimit të Karol Swiderskit, që menjëherë pas golit të shënuar shkoi të festonte në mënyrë ekspresive përpara fansave.

Por, vetëm ky argument nuk mjafton për të shfajësuar Shqipërinë. As fakti që kohë përpara kësaj ngjarjeje, tifozët polakë kanë hedhur shishe drejt tribunave me mbështetës shqiptarë dhe në momentin e ndërhyrjes së policisë, shkatërruan dhe hodhën stolat.

Fakti se atmosfera nuk cilësohej e sigurt që lojtarët të vazhdonin ndeshjen, rëndon situatën e Kombëtares. Edhe pse ishte reagim ndaj provokimeve, ashtu si ndodhi edhe në fundin e ndeshjes me portierin Szczesny, nuk na shfajëson. Federata rrezikon të gjobitet me 200 mijë franga zvicerane, afro 185 mijë euro, teksa përfaqësuesja mund të detyrohet të luajë dy deri në katër ndeshje pa tifozë.