Shtyhet seanca për shkaqe teknike ndaj ish-kryeshefit të KPM-së

Është shtyrë seanca për rastin ku ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi, akuzohet për marrje ryshfeti.

Në këtë shqyrtim gjyqësor ishte paraparë dëgjimi i provave audio të prokurorisë, por sipas kryerarit të trupit gjykues, Alban Ajvazi, shkaku i mungesës së pajisjeve në sallë seanca shtyhet. Pajisjet, sipas Ajvazit, i ka hequr nga salla një zyrtar i teknologjisë informative.

“Për arsye se një zyrtar tjetër i ka larguar pajisjet nga salla, kështu që na bën të pamundur që të vazhdojmë me këtë shqyrtim gjyqësor edhe pse zyrtarët kanë qenë të njoftuar që në këtë shqyrtim do të nevojiten pajisjet”, ka thënë Ajvazi.

Seanca është shtyrë për në 3 maj.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hedhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Arben Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Telkos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.