Ballina Artikuj Si duhët ta kuptojmë Ramazanin?

Si duhët ta kuptojmë Ramazanin?

Prof.Dr. Rrahman Ferizi

Ramazani – Shkolla e kalitjes së shpirtit njerëzor

Ramazani vjen si një ilaç hyjnor duke e dëlirur egon, një kurë e shenjtë në të cilën njeriu përballet me veten dhe synon pastrimin e brendshëm (detoksifikimin).
Agjërimi nuk është thjesht abstenim nga ushqimi dhe pija, por një proces i thellë dhe radikal i edukimit shpirtëror, ku egoja sfidohet dhe disiplinohet në nivelin më të fshehtë të vetëdijes dhe në dimensionin më delikat të përkushtimit.
Në këtë sfidë të heshtur, në këtë luftë të brendshme që në teatrin e jetës manifestohet si paqe me të tjerët, njeriu mëson të sundojë dëshirat bazë, të kontrollojë impulset negative dhe të rivendosë vetëdijen mbi qëllimin e ekzistencës së tij.

Ramazani – Shkolla e shëndetit psiko-fizik

Ramazani ndikon gjithashtu drejtpërdrejt në shëndetin psiko-fizik. Qetësia shpirtërore, përqendrimi në adhurim dhe bio-ritmi i rregulluar i jetës sjellin ekuilibër mendor dhe lehtësim emocional. Trupi çlirohet nga toksinat që grumbullohen gjatë vitit në “kazanët” e ngarkuar të metabolizmit, ndërsa shpirti ushqehet me durim, mirënjohje dhe përulësi. Ky muaj krijon një harmoni të veçantë ndërmjet trupit dhe shpirtit, duke e bërë njeriun më të vetëdijshëm për vlerën e shëndetit dhe të disiplinës.

Ramazani – Shkolla e rivendosjes së relacioneve tokësore-kozmike

Në Ramazan, relacionet (intuitive-besimore) tokësore-kozmike forcohen si kurrë më parë në asnjë muaj tjetër. Njeriu ndihet më afër Krijuesit, e percepton kohën dhe hapësirën ndryshe dhe lidhet me dimensione më të larta hyjnore përmes lutjes, Kuranit dhe reflektimit (përdëllimit) në adhurim, meditim dhe përsiatje.

Ramazani – Shkolla e jetëgjatësisë shpirtërore

Kulmi i kësaj lidhjeje tokësore-kozmike është Nata e Kadrit (përcaktimeve), e cila vlerësohet më shumë se një mijë muaj, e barasvlershme me jetëgjatësinë mesatare të njeriut në kohën bashkëkohore. Ajo sjell një shtim hyjnor-shekullor të adhurimeve “jetëgjatësisë shpirtërore” dhe hap horizonte të reja triumfi, besimi dhe ura të shpëtimit.

Ramazani – Shkolla e mirësisë dhe dashurisë

Mirësia dhe dashuria në Ramazan kuptohen si fruta që shtohen sa më shumë shpërndahen. Bamirësia, iftarët, ndihma ndaj nevojtarëve dhe fjalët e mira krijojnë një atmosferë empatie, solidariteti dhe dhembshurie. Në Ramazan shtohen bamirësit e fshehta, ndërsa zvogëlohen mëkatet e hapura. Njeriu kupton se sa më shumë që jep (altruizëm), aq më shumë pasurohet shpirtërisht. Ky është muaji në të cilin zemrat afrohen dhe shoqëria rizbulon ndjenjën e bashkësisë.

Ramazani – Shkollë e formimit të personalitetit dhe durimit

Ramazani kontribuon në përmbushjen e personalitetit dhe në kultivimin e durimit. Ai formëson karakterin, forcon vullnetin dhe zhvillon vetëkontrollin. Besnikëria në fshehtësi, kur një person agjëron edhe pa u vëzhguar nga askush, përbën një provë të sinqeritetit dhe të ndërgjegjes së pastër. Kjo është sfida më e madhe ndaj “kurthit të egos”, e cila gjithmonë synon superioritetin dhe rehatinë.

Ramazani – Shkollë elitare e vetë-njohjes dhe zotërimit të unit njerëzor

Ai që udhëheq veten, udhëheq botën. Ramazani e mëson këtë parim themelor të jetës. Duke sunduar veten, njeriu bëhet më i drejtë, më i matur dhe më i dobishëm për shoqërinë. Prandaj, Ramazani mbetet “shkolla e edukimit të udhëheqësve të kësaj bote”, një vatër ku formohen shpirtra që synojnë përjetësinë dhe vlerat e larta njerëzore.

Përgatiti: Rrahman FERIZI