Sllovenia shpall fundin e epidemisë së koronavirusit

Qeveria e Sllovenisë ka shpallur fundin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke u bërë vendi i parë evropian që bënë një gjë të tillë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sllovenia ka zbutur epideminë gjatë dy muajve të fundit. Sot Sllovenia ka tablon më të mirë epidemiologjike në Evropë”, deklaroi kryeministri slloven, Janez Jansha para Parlamentit në një seancë nga largësia të enjten vonë.

Vendimi erdhi pasi zyrtarët e vendit ballkanik konfirmuan më pak se shtatë raste të reja të koronavirusit çdo ditë për dy javët e fundit.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vlerësoi se të gjithë indikatorët tregojnë se përhapja e virusit është qetësuar, me gjithsej 35 raste të reja të regjistruara në 14 ditët e fundit.

“Njerëzit që vijnë në Slloveni nga vendet tjera të Bashkimit Evropian nuk do të jenë më të detyruar të hyjnë në karantinë”, tha Jansha.

Megjithatë, pasi ende ekziston rreziku i përhapjes së infeksionit, disa masa kufizuese mbesin në fuqi.

Sllovenia rastin e parë me COVID-19 e regjistroi më 4 mars dhe deri më 13 maj numri i të prekurve arriti në afër 1.500 raste.

Gjithsej 103 persona humbën jetën nga koronavirusi në Slloveni, me një popullsi prej 2 milionë banorësh.

Qeveria theksoi se shtetasit e huaj që tregojnë shenja të infeksionit të koronavirusit nuk do të lejohen të hyjnë në vend dhe se karantina prej të paktën 14 ditë do të mbetet në vend për presonat nga vendet jo anëtare të BE-së, me disa përjashtime, përfshirë diplomatët dhe personat që transportojnë mallra.

Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në të gjithë botën, ku aktualisht Evropa dhe SHBA-të janë rajonet më të goditura.

Pandemia ka marrë më shumë se 302 mijë jetë njerëzish në të gjithë botën, me më shumë se 4.4 milionë raste të konfirmuara, ndërsa shërimet kanë tejkaluar 1.59 milionë, tregojnë shifrat e përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” në SHBA.