Suedia hedh poshtë idenë që fuqitë e mëdha të bëjnë “çfarë të duan”

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Maria Malmer Stenergard

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Maria Malmer Stenergard, tha se refuzon të jetojë në një botë ku fuqitë e mëdha veprojnë sipas dëshirës së tyre, pas kërcënimeve të përsëritura të SHBA-së për të përvetësuar Grenlandën dhe veprimit ushtarak amerikan në Venezuelë, gjatë të cilit u kap presidenti Nicolas Maduro, transmeton Anadolu.

“Nuk dua të jetoj në një botë ku ka fuqi të mëdha që bëjnë çfarë të duan. Prandaj është e rëndësishme që Suedia të mbrojë të drejtën ndërkombëtare në këtë fazë shumë kritike”, tha Stenergard për Lajmet në Radion Suedeze.

Duke kritikuar deklaratat e Washingtonit për Grenlandën, ajo tha se thirrjet e SHBA-së për të marrë nën kontroll territorin janë shqetësuese dhe theksoi se ishulli nuk është në shitje.

Stenergard shtoi se Danimarka dhe SHBA-ja duhet të përballen me deklaratat e fundit dhe t’u kthehen marrëdhënieve bashkëpunuese që kanë pasur më parë, duke u larguar nga retorika aktuale.

Ajo e përshkroi momentin aktual si një udhëkryq për të ardhmen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe nëse ato do të vazhdojnë të respektohen.

Stenergard tha gjithashtu se qeveria suedeze beson se veprimi i fundit ushtarak i SHBA-së në Venezuelë nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Duke iu referuar një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Danimarka tha se veprimet e SHBA-së përbëjnë precedent të rrezikshëm, Stenergard u pajtua dhe tha se SHBA-ja nuk e justifikoi ndërhyrjen e saj mbi baza të së drejtës ndërkombëtare, por si një operacion për luftimin e krimit.

Pas operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit në Venezuelë, gjatë të cilit u kap Maduro, presidenti Donald Trump rinovoi thirrjen e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës për arsye të “sigurisë kombëtare”.

Grenlanda është një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës dhe ka refuzuar vazhdimisht propozimet që sugjerojnë çdo transferim të sovranitetit te SHBA-ja.