Tavë me domate dhe kunguj

Përbërësit për 4 persona: 1 lugë vaj ulliri, 1 qepë e madhe e prerë në feta, 1 thelb hudhër, grirë imët, 450 g domate (preferohen të vogla dhe të një madhësie), 450 g kunguj të vegjël, 1 lugë çaji rigon, 2 lugë djathë kaçkavall i grirë, kripë dhe piper sipas dëshirës.

Përgatitja: Ndizeni furrën në 180 gradë. Në një tigan nxehni vajin e ullirit, dhe gatuani fetat e qepës dhe hudhrën derisa të zbuten dhe të artësohen. Kalojini qepët në fundin e një tave të vogël për pjekje. Pritini domatet në feta rreth 7-8 mm secila, të barabarta. Nëse domatet janë të mëdha, pritini fetat në dysh. Pritini kungujt në feta rreth 1 cm të trasha. Rregullojini fetat e kungujve dhe domateve në tavë mbi qepët, duke i alternuar sipas dëshirës. Gjithmonë mund edhe t’i vendosni mbi njëra-tjetrën pa i rregulluar në mënyrë të caktuar. Spërkatini njëtrajtësisht me rigon, djathin kaçkavall të grirë dhe kripë & piper. Hidhuni sipër pak vaj ulliri, pastaj piqini në furrën tashmë të nxehtë për rreth 25 minuta. Ju bëftë mirë!