Ballina Artikuj Të njihesh apo të fshihesh? Dilema e identitetit fetar.

Të njihesh apo të fshihesh? Dilema e identitetit fetar.

Problemi nuk është te shamia; problemi është te identiteti i kahershëm që ajo ruan.
“Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen” (Kuran-Ahzab 59).
Shumë thjesht: qëllimi i shamisë është “që ato të njihen”.
Pra, shamia ofron kulturë, mirësjellje dhe mbrojtje, por përmes një identiteti.
Debatet e ashpëra, të shoqëruar me reagime ofenduese, nuk janë për shaminë si veshje, por për identitetin fetar që shamia ruan brenda shoqërisë.
Kjo veshje është, thjesht, identiteti i një gruaje muslimane. Përzgjedhja e tekstit kuranor e bën të qartë se veshja synon të shndërrohet në identitet, që përcakton identitetin e gruas muslimane.
Kjo nuk do të thotë se ajo që nuk mban shami nuk është muslimane, por do të thotë se është muslimane që ka hequr dorë nga shprehja e këtij identiteti, për arsye që i di ajo vetë, ose thjesht nuk i kushton rëndësi çështjes së identitetit fetar.
Natyrisht, kjo nënkupton se mbulesa është identitet dhe simbol fetar.
Ata që sot nënvlerësojnë vlerat që shpreh identiteti i shamisë dhe përpiqen të minimizojnë rëndësinë e identitetit fetar (i cili është pjesë e identitetit shqiptar) duke u përpjekur të na tërheqin vëmendjen drejt asaj që, sipas tyre, është “më e rëndësishme”, zakonisht mbajnë identitete të tjera që, në rastin më të mirë, janë shumë pak shqiptare.
Identiteti është si një kartë që na kujton kush jemi; është si një numër që përmbledh të gjitha referencat tona të vlerës, si një simbol që shpreh gjithçka që jemi si një kod gjenetik që përfshin historinë e të gjithë racës.
Ikja nga identiteti është ikje nga fytyra, nga gjenet dhe nga “numri i serisë”.
Ikja nga identiteti është e pamundur, përveç nëse krijohet një identitet i ri; prandaj zhvlerësimi i identitetit është një proces i pavlerë.
Askush nuk e nënvlerëson simbolikën e flamurit, edhe pse ai është vetëm një copë pëlhure; përkundrazi, të gjithë kërkojnë ta respektojnë flamurin dhe simbolikën e tij.
Lërini rehat ato gra që në njërën dorë mbajnë flamurin e vendit të tyre dhe në dorën tjetër flamurin e vlerave dhe referencave të tyre kulturore.
“Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen dhe të mos ngacmohen nga të tjerët.”
Ndalimi i bartjes së shamisë është ngacmim dhe ofendim i këtij identiteti fetar, të cilin dikush e ka përzgjedhur me vetëdëshirë.
Halil Avdulli
Dita Botërore e Hixhabit