Të paktën 14 shtetas egjiptianë humbën jetën pasi një varkë me emigrantë të parregullt u fundos pranë portit të ishullit grek të Kretës, njoftoi sot Ministria e Jashtme e Egjiptit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha se po ndjek situatën në lidhje me fundosjen e varkës me emigrantë të parregullt, e cila ishte nisur nga një prej vendeve fqinje të Egjiptit drejt Greqisë më 7 dhjetor 2025.
Sipas ministrisë, varka po transportonte 34 emigrantë të parregullt të kombësive të ndryshme, përfshirë 14 shtetas egjiptianë që humbën jetën. Ministria bëri të ditur se po komunikon me shpejtësi me autoritetet greke për të ofruar çdo ndihmë të mundshme për të shpëtuarit dhe për të përshpejtuar riatdhesimin e trupave të viktimave egjiptiane.
Duke e përshkruar ngjarjen si tragjike, ministria u bëri thirrje qytetarëve egjiptianë të mos bien pre e rrjeteve të migracionit të parregullt, të mbrojnë jetën e tyre dhe të shmangin përsëritjen e incidenteve të tilla të dhimbshme.
Emigrantët e parregullt kanë përdorur Libinë dhe vende të tjera fqinje për të arritur në ishullin e Kretës, i cili konsiderohet një portë hyrëse drejt Bashkimit Evropian. Në fillim të korrikut, qeveria greke vendosi të pezullojë aplikimet për azil, veçanërisht për personat që mbërrijnë në Kretë nga Libia.
Egjipti thotë se ka parandaluar nisjen e çdo varke me emigrantë të parregullt drejt Evropës që nga viti 2016, ndërsa emigrantët egjiptianë zakonisht e përdorin Libinë si rrugë tranziti.




