Tefsiri i sures “Nas”
Allahu (xh.sh) ka thënë: “Thuaj: “Kërkoj mbrojtje te Zoti i njerëzve, Sunduesi i njerëzve, i Adhuruari i njerëzve, nga e keqja e cytësit që fshihet, i cili cyt në zemrat e njerëzve, qoftë nga xhinët apo nga njerëzit.”[1]
Tefsiri i ajetit të parë: “Thuaj: “Kërkoj mbrojtje te Zoti i njerëzve.”
“Thuaj: “Kërkoj mbrojtje”, domethënë: Thuaj, o Muhamed: “Kërkoj strehim, mbështetem dhe kërkoj mbrojtje.”
“Te Zoti i njerëzve”, domethënë: te Krijuesi i njerëzve, edukuesi i tyre dhe Ai që administron çështjet e tyre; Ai që u dha jetë dhe i krijoi nga mosekzistenca, si dhe i begatoi me lloje të ndryshme mirësish. Komentuesit e Kurani kanë thënë: Njerëzit janë përmendur posaçërisht, ndonëse Madhështori është Zoti i të gjitha krijesave, për t’i nderuar dhe për t’u dhënë atyre një pozitë të veçantë, pasi Ai ua ka nënshtruar atyre çfarë gjendet në gjithësi, u ka dhënë mendjen dhe dijen dhe engjëjt e Tij të shenjtë i ka urdhëruar të përulen para tyre. Për këtë arsye, ata janë krijesat më të zgjedhura në mënyrë absolute. Pra, në shprehjen “Zoti i njerëzve”, si edhe në dy ajetet pasues, ka një shtesë nderimi dhe madhërimi për ta.
Aishja (r.a) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) shkonte në shtrat, bashkonte pëllëmbët e duarve, frynte lehtë në to dhe lexonte “Thuaj: Ai është Allahu, Një i Vetëm”[2] dhe dy suret mbrojtëse. Pastaj fërkonte me to aq sa mundej nga trupi i tij, duke filluar nga koka, fytyra dhe pjesa e përparme e trupit. Këtë e bënte tri herë.”
Tefsiri i ajetit të dytë: “Sunduesi i njerëzve.”
“Sunduesi i njerëzve”, domethënë: Zotëruesi i të gjitha krijesave, sunduesve dhe të sunduarve, me një zotërim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të përsosur. Ai i sundon ata, rregullon veprat e tyre dhe administron çështjet e tyre; Ai lartëson dhe poshtëron, pasuron dhe varfëron.
Këtu vërehet zgjerimi i shprehjes përmes përsëritjes së emrit: “Zoti i njerëzve, Sunduesi i njerëzve”, si shtesë në madhërimin dhe kujdesin ndaj çështjes së tyre. Sikur të ishte thënë “Sunduesi i tyre, i Adhuruari i tyre”, nuk do të përcillej kjo madhështi e veçantë.
Tefsiri i ajetit të tretë: “I Adhuruari i njerëzve.”
“I Adhuruari i njerëzve”, domethënë: Ai që adhurojnë dhe përveç të Cilit nuk kanë Zot tjetër.
Kurtubiu ka thënë: Është thënë “Sunduesi i njerëzve, i Adhuruari i njerëzve”, sepse mes njerëzve ka sundues, ndaj u përmend se Ai është Sunduesi i tyre; dhe mes njerëzve ka nga ata që adhurojnë dikë tjetër, ndaj u përmend se Ai është i Adhuruari dhe objekti i adhurimit të tyre. Ai është gjithashtu Ai te i Cili duhet kërkuar mbrojtje dhe strehim, e jo te sunduesit dhe njerëzit e mëdhenj.
Renditja e sures në këtë mënyrë është kulmi i mjeshtërisë. Kjo sepse njeriu fillimisht e kupton se ka një Zot, nga ajo që vëren në llojet e ndryshme të edukimit dhe kujdesit të Tij. Pastaj, kur mediton më thellë, kupton se ky Zot administron krijesat e Tij dhe është i pavarur prej tyre; pra, Ai është Sunduesi i tyre. Më tej, kur thellohet edhe më shumë në meditim, kupton se Ai meriton të adhurohet, sepse adhurimi i takon vetëm Atij që është i pavarur nga gjithçka tjetër dhe tek i Cili kanë nevojë të gjitha krijesat.
Fjala “njerëzit” është përsëritur tri herë dhe nuk është mjaftuar me përemrin, me qëllim që të shfaqet nderi dhe madhështia e tyre dhe të theksohet kujdesi ndaj çështjes së tyre. Përsëritja është përdorur bukur edhe në vargjet e poetit:
Nuk shoh se vdekjen mund ta paraprijë diçka tjetër,
Vdekja ia hidhëron jetën të pasurit dhe të varfrit.
Ibn Kethiri ka thënë: “Këto janë tri cilësi të Zotit, të Madhëruar e të Lartësuar: “zotërimi”, “sundimi” dhe “hyjnia”. Ai është Zoti, Sunduesi dhe i Adhuruari i çdo gjëje. Të gjitha gjërat janë krijesa dhe pronë e Tij. Prandaj, atij që kërkon mbrojtje i është urdhëruar të kërkojë mbrojtje tek Ai që i zotëron këto cilësi.
Tefsiri i ajetit të katërt: “Nga e keqja e cytësit që fshihet.”
“Cytësi” është shejtani që cyt. Fjala rrjedh nga “cytje”, që nënkupton të folurit në fshehtësi dhe bisedën e brendshme të shpirtit.
“Që fshihet” është ai që e ka zakon të tërhiqet, të fshihet dhe të largohet. Thuhet: “Dreri u fsheh”, kur ai zhduket nga sytë. Shejtani është quajtur “ai që fshihet”, sepse tërhiqet dhe fshihet kur robi e përmend Zotin e tij; ndërsa, kur robi tregohet i shkujdesur ndaj përmendjes së Allahut, ai kthehet dhe e cyt. “Tërheqja” nënkupton largimin dhe tërheqjen prapa.
Pastaj thuhet: “Nga e keqja e cytësit”, domethënë: nga e keqja e shejtanit, i cili hedh mendime të këqija në shpirt dhe e cyt njeriun, duke e nxitur drejt mosbindjes; “që fshihet”, pra ai që tërhiqet, fshihet dhe largohet kur robi e përmend Zotin e tij, ndërsa, kur robi tregohet i shkujdesur ndaj Allahut, ai kthehet dhe e cyt.
Në një hadith thuhet: “Shejtani e vendos majën e hundës së tij mbi zemrën e birit të Ademit. Kur ai e përmend Allahun, shejtani tërhiqet; ndërsa, kur ai e harron Allahun, shejtani e përpin zemrën e tij dhe e cyt.”
Tefsiri i ajetit të pestë: “I cili cyt në zemrat e njerëzve.”
“I cili cyt në zemrat e njerëzve”, domethënë: ai që, për shkak të ligësisë së tij të madhe, hedh në zemrat e njerëzve lloje të ndryshme cytjesh dhe iluzionesh.
Kurtubiu ka thënë: “Cytja e tij është thirrja drejt bindjes ndaj tij përmes fjalëve të fshehta, kuptimi i të cilave arrin në zemër pa u dëgjuar ndonjë zë.”
Këtu kemi një përputhje tingullore të fjalëve që rrjedhin nga e njëjta bazë: “cyt” dhe “cytësi”. Po ashtu, në këtë sure gjendet një harmoni tingullore që i tejkalon meloditë për nga ëmbëlsia e shprehjes. Kjo është një nga veçoritë e Kuranit.
Tefsiri i ajetit të gjashtë: “Qoftë nga xhinët apo nga njerëzit.”
“Xhinët”, me zanoren e shkurtër “i” në shkronjën e parë, është shumës i fjalës “xhin”, ndërsa me zanoren “u” nënkupton mbrojtjen. Në hadith thuhet: “Agjërimi është mburojë”, domethënë mbrojtje nga dënimi i Allahut. Në krahasimin mes “xhinëve” dhe “njerëzve” kemi antitezë.
“Nga” është shpjeguese. Domethënë, ai që cyt në zemrat e njerëzve është prej shejtanëve të xhinëve dhe të njerëzve, siç thotë i Lartësuari: “Shejtanët e njerëzve dhe të xhinëve i frymëzojnë njëri-tjetrit fjalë të zbukuruara, për t’i mashtruar.”[3]
Pra, ajeti përmban kërkimin e mbrojtjes nga e keqja e njerëzve dhe e xhinëve, të gjithë së bashku. Nuk ka dyshim se shejtanët e njerëzve janë më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm se shejtanët e xhinëve. Shejtani prej xhinëve tërhiqet kur kërkohet mbrojtje te Allahu, ndërsa shejtani prej njerëzve ia zbukuron njeriut veprat e turpshme, e nxit drejt të këqijave dhe e pengon nga vendosmëria për të bërë diçka. I mbrojtur është ai të cilin Allahu e mbron.
Autor: Muhamed Ebu Nasir
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Nas.
[2] – Sure Ihlas
[3] – Sure En’am: 112.







