Ballina Artikuj Thirrje vëllazërore shqiptarëvë të Luginës sonë!

Thirrje vëllazërore shqiptarëvë të Luginës sonë!

Korab Blakaj
Vëllezër dhe motra shqiptare të Luginës sonë, që ende jetoni nën pushtimin serb!
Mos u ligështoni nga shpirtrat e korruptuar, nga mjeranët që, ndonëse i dinë kiblát e fesë, të shtetit dhe të kombit, ju ftojnë drejt xhenetit të shkijeve, drejt Beogradit dhe drejt të ashtuquajturës Botë Serbe!
Mos lejoni që t’ju demoralizojnë ata që e kanë humbur busullën e dinjitetit kombëtar, as lapsat e shitur, as qallmat e shitura, as spikericat që qaraveshen sa herë vihet në diskutim bashkimi ynë kombëtar.
Nuk u ka hije vëllezërve dhe motrave tona krenare të Luginës të ndikohen nga zërat që përpiqen t’ua dobësojnë vullnetin politik dhe t’i largojnë nga bashkimi me shqiptarët gjithandej trojeve tona.
Burrat dhe gratë e këtij kombi e dinë se qëndresa nuk matet vetëm me numra. Ne e dimë se një luftëtar shqiptar, kur mbron lirinë, dinjitetin dhe të drejtën e popullit të vet, mund të përballet me një mijë kundërshtarë pa e ulur flamurin e pa e humbur besimin në çështjen e tij.E kur është për të folur, i flet çfarëdo zullumqari, qoftë ai i vetmuar, me tre apo me 6 milionë zullumqarë në krah!
Prandaj, nuk ka rëndësi nëse fitojmë një apo dhjetë deputetë në Parlamentin e Serbisë. Rëndësi ka që zëri shqiptar të mos heshtë, që përfaqësimi ynë të mos përçahet dhe që vullneti ynë politik të shprehet i bashkuar e me dinjitet.
Ju bëj thirrje: votoni masivisht koalicionin shqiptar!
Bëhuni pjesë e lëvizjes së shqiptarëve që po zgjohet gjithandej botës, e një përpjekjeje që synon të ruajë identitetin, të mbrojë dinjitetin dhe ta mbajë gjallë lidhjen e Luginës me kombin shqiptar.
Në Serbi ka pritshmëri…! Dhe ta dini;saherë vijnë momentumet e ndryshimeve atje, duart e liga, hijet e tokës e të nëntokës, bashkë me veladonët e zinj e kanë gatuar përbindëshin tjetër të shqiptarëve!
Mos e harroni.Përtej kufijve administrativë, përtej pengesave politike dhe përtej zërave që synojnë të na ndajnë, ne mbetemi një komb, me një histori, me një gjuhë, me të drejtën për ta ruajtur identitetin tonë dhe me detyrimin e bashkimit.
Bashkimi është i bekuar!
Rroftë Lugina shqiptare!
Rroftë bashkimi kombëtar! 🇦🇱