Thaçi për CNN: Kosova synon të njihet nga të gjitha shtetet e OKB-së

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë për televizionin amerikan CNN ka folur për sportin dhe për zhvillimet në Kosovë.

Thaçi ka theksuar se tash për tash Kosovën e kanë njohur 112 shtete, derisa synim mbetet që Kosovën ta njohin të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

CNN transmeton se si Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj, pas dhjetë vjetëve të një konflikti të përgjakur nga forcat serbe dhe shqiptarët e Kosovës.

“Ndërmjet vitit 1997 dhe 1999 u bë figura kryesore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe negociatave të paqes. Transformimi i tij nga një revolucionar në një politikan, e shndërroi atë në kryeministër të pavarësisë dhe përjetimin e një ëndërr të përjetshme”, thuhet në artikullin e CNN.

CNN shkruan se krijimi i një shteti të pavarur ishte një moment në të cilin Thaçi asnjëherë nuk kishte dyshuar që nuk do të ndodhte “kurrë nuk kam dyshuar”.

“Sigurisht, ëndrra jonë ishte që të kemi shtetin tonë, i cili do të jetë i barabartë dhe i lirë ashtu si çdo popull apo shtete tjera në Evropë. Më në fund, ne kemi shtetin tonë, ëndrra është realitet dhe ne kemi kombëtaren, e cila mund të luajë në garat ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi për CNN.