Thaçi: Sulmet me bomba prekin vijën e kuqe të terrorizmit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i bindur se Demarkacioni me Malin e Zi është bërë pa gabime dhe duhet të ratifikohet në Kuvend më 1 shtator.

Thaçi e quan të pakuptimtë dhunën dhe rreshtimin e opozitës kundër marrëveshjeve, ndërsa sulmet e fundit me bomba, sipas tij, “prekin vijat e kuqe të terrorizmit”

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi nuk ka asnjë arsye të shtyhet më, por duhet të miratohet më 1 shtator, në mënyrë që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave dhe formimit të FAK-ut. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në intervistën dhënë gazetës “Zëri”.

Mosratifikimin e marrëveshjes brenda një viti Thaçi nuk e quan papjekuri politike, por nevojë për shoshitjen e të gjitha modaliteteve dhe argumenteve lidhur me kufirin. Përveç opozitës e cila po aplikon dhunë, ratifikimin, sipas presidentit, po e kërkojnë të gjithë në Kosovë, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar.

“Është për keqardhje që kjo dhunë ka vazhduar edhe pas apeleve të qarta, të ardhura nga përfaqësues politikë në Kosovë, nga përfaqësues të shoqërisë civile, të medieve dhe akademikëve; por edhe pas apeleve të qarta të miqve ndërkombëtarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Thaçi.

Është edhe më shqetësuese se në Kosovë, në muajin e fundit, sipas tij, ka dhunë të paparë ndonjëherë qëkur jemi shtet.

“Po t’i shohim definicionet nëpër fjalorë dhe enciklopedi, këto sulme mund të thuhet pa ekuivok se prekin vijën e kuqe të terrorizmit. Edhe këtu besoj që ekziston një konsensus i plotë në Kosovë. Nuk duam dhunë”, thotë ai.

Presidenti Thaçi foli edhe për skandalin e përgjimeve “Pronto” dhe për kërkesën e ndërkombëtarëve për ta luftuar korrupsionin. Ai inkurajoi drejtësinë që të merret me të gjitha rastet “pa presion”.

Thaçi foli edhe për raportet me opozitën, por edhe për protestën e 1 shtatorit, të organizuar nga “Vetëvendosja”.

“Pretendimet e opozitës janë kauzë e rreme dhe përpjekje për mashtrim të opinionit”, tha ai.