Transportuesit në vendet e rajonit sot në orën 12:00 filluan protestën kundër hyrjes në fuqi të Sistemit të ri të Hyrje-Daljes (EES) të Bashkimit Evropian, raporton Anadolu.
Protesta është paralajmëruar me bllokim shtatëditor të trafikut të mallrave në pikat kufitare Deve Bair, Novo Sellë, Dellçevë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafasan, Bllatë dhe Bllacë, ndërsa Tabanoc – Preshevë do të jetë e mbyllur në anën serbe.
Poashtu është ndërprerë qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë për shkak të protestave që kanë filluar shoferët e kamionëve në territorin e Serbisë.
Në të njëjtën kohë, në protestë përveç transportuesve të Maqedonisë së Veriut, dolën edhe transportuesit nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina duke kërkuar zgjidhje për problemin e regjistrimit të qëndrimit në zonën Shengen në përputhje me rregullin 90/180 ditë për shoferët profesionistë.
Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Punëdhënësve të Kompanive të Transportit të Republikës së Maqedonisë, “Makam-trans”, Biljana Muratovska deklaroi se kërkesa kryesore e transportuesve është të gjendet zgjidhje për qëndrimin e shoferëve në zonën Shengen, në mënyrë që ditët të mos regjistrohen ose të lëshohet ndonjë lloj vize që nuk është e kufizuar nga numri i ditëve.
Ajo theksoi se rregullat e reja do të nënkuptonin kolaps të plotë të ekonomisë në vend, ose më saktë në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Turqinë (vende që nuk janë anëtare të BE-së dhe zonës Shengen), për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit.
Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski tha se rregullat e reja për hyrjen në zonën Shengen nuk zgjidhin asgjë për të përmirësuar një zonë specifike në BE, dhe ato ndikojnë shumë keq në biznes dhe do të krijojnë probleme serioze.
Zëvendëskryeministri dhe njëherit ministër i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, më parë deklaroi se prej një viti kanë dhënë alarmin për problemin me transportuesit dhe të dhënat elektronike në BE, duke theksuar se bëhet fjalë për një problem të madh ekonomik që mund ta rrëzojë plotësisht ekonominë e vendit dhe atë rajonale.




