Trump: Roli i SHBA-së në Venezuelë mund të zgjasë me vite

Presidenti amerikan Donald Trump pretendon se SHBA-ja do të mbikëqyrë burimet e naftës së Venezuelës për vite me radhë ndërsa mbrojti idenë se “do ta rindërtojmë atë në mënyrë shumë fitimprurëse”, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për “New York Times” të mërkurën, Trump tha se udhëheqja e përkohshme e Venezuelës, të cilën ai e përshkroi si ish-besnikë të presidentit të kapur Nicolas Maduro po “na jep gjithçka që ne mendojmë se është e nevojshme” për të përmbushur kërkesat e SHBA-së.

“Ne do të përdorim naftë dhe do të marrim naftë. Po ulim çmimet e naftës dhe do t’i japim para Venezuelës, të cilat i nevojiten me dëshpërim”, tha Trump.

Ai theksoi se administrata ka filluar tashmë të gjenerojë të ardhura për SHBA-në duke siguruar naftë që më parë ishte nën sanksione, duke cituar njoftimin e tij të martën në mbrëmje se Washingtoni do të merrte midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të rëndë bruto të Venezuelës.

“Nafta do të duhet pak kohë. Mos harroni, ata na e morën naftën vite më parë”, tha presidenti amerikan. Komentet e tij pasuan një deklaratë të sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio që detajonte një plan me tre hapa për Venezuelën bazuar në stabilizim, rimëkëmbje dhe tranzicion.

Trump nuk shpjegoi pse e njohu zëvendëspresidenten Delcy Rodriguez si udhëheqësen e re të Venezuelës në vend të figurës së opozitës Maria Corina Machado, por tha se Rubio është në “komunikim të vazhdueshëm” me të dhe administratën.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes se pse nuk e emëroi Edmundo Gonzalez-in, të cilin SHBA-ja e shpalli fitues të zgjedhjeve në Venezuelë në vitin 2024. Trump ndërpreu shkurtimisht intervistën për të marrë një telefonatë nga presidenti kolumbian Gustavo Petro, disa ditë pasi kërcënoi me veprime kundër Kolumbisë, një bisedë që dukej se lehtësoi tensionet e menjëhershme. Ai tha se kapja e Maduros dërgoi sinjal të fortë tek udhëheqësit e tjerë rajonalë.

Trump nuk pranoi të thoshte se cilat rrethana mund t’i shtynin forcat amerikane të vendoseshin në terren në Venezuelë. “Nuk do të doja t’ua thoja këtë, por ata po na trajtojnë me shumë respekt. Siç e dini, po shkojmë shumë mirë me administratën që është tani atje”, tha ai.

Trump tha se shpreson të vizitojë Venezuelën në të ardhmen. “Mendoj se në një moment do të jetë e sigurt”, shtoi presidenti amerikan.