Presidenti Donald Trump kritikoi të mërkurën marrëdhëniet tregtare të SHBA-së me Kanadanë, duke akuzuar Otavën për vendosjen e tarifave të larta ndaj mallrave amerikane dhe duke thënë se Washingtoni nuk është i kënaqur me negociatat tregtare, raporton Anadolu.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump përsëriti pretendimin e tij se Kanadaja e ka “zhvatur” SHBA-në prej vitesh, duke pohuar se marrëdhëniet tregtare kanë qenë shumë të anshme në favor të Kanadasë.
“Kanadaja e ka zhvatur vendin tonë për shumë, shumë vite, në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha Trump. Ai pretendoi se Kanadaja ka vendosur tarifa deri në 400 për qind ndaj produkteve amerikane të qumështit dhe mallrave të tjera.
Trump tha se SHBA-ja nuk ka nevojë ekonomikisht për Kanadanë, ndërsa vuri në dukje se Kanadaja zhvillon pjesën dërrmuese të tregtisë së saj me SHBA-në.
“Kanadaja ka qenë vend me të cilin është shumë e vështirë të merresh marrë vesh. Dhe mendoj se po bëjmë shumë mirë me Kanadanë. Kanadaja do të donte të arrinte një marrëveshje, por ne nuk jemi të kënaqur me të”, tha ai.
Trump pohoi se SHBA-ja “po humbet 90 miliardë dollarë në vit duke bërë biznes me Kanadanë”.
Presidenti tha se SHBA-ja duhet të rrisë prodhimin vendas, veçanërisht në industrinë e automobilave, në vend që të mbështetet te Kanadaja për prodhimin e automjeteve për konsumatorët amerikanë.
“Pse? Ne duam t’i prodhojmë vetë makinat tona. Nuk duam që ata të prodhojnë makina për ne”, tha Trump.


